Serbia tregon muskujt. Në paradë dhe sistemi i mbrojtjes ajrore i ardhur nga Kina

Nga Amado Çela

30 Prill 2022

Serbia ka treguar muskujt të shtunën, 30 prill, me një paradë ushtarake ku ka demonstruar aftësitë dhe armët që disponon. Gjatë paradës u prezantua për herë të parë edhe sistemi i mbrojtjes ajrore i ardhur nga Kina, i cili u kritikua gjerësisht nga mediet perëndimore si një mjet destabilizimi.

Presidenti Aleksandër Vuçiç i cili gjendej përkrah anëtarit serb të Bosnje Hercegovinës, Millorad Dodik me fjalimin e tij ka nxitur tensione artificiale kundër Kosovës.

Në fjalimin e tij gjatë paradës ushtarake presidenti Vuçiç pretendoi se qeveria e Kosovës po përzë me dhunë serbët në veri të vendit.

Kjo është fytyra e “Fantazmës së Kiev”. Ukraina konfirmon vdekjen e tij. Ja kush ishte

Vuçiç: Situata në Kosovë nuk është e mirë për ne dhe nuk është shumë larg dramatikes, çdo ditë njerëzit tanë në Kosovë, veçanërisht në veri janë nën sulme politike apo ekonomike, sulme përditë e më të forta. Shumë mendojnë që ata do të shfrytëzojnë mundësinë e situatës në Ukrainë për të hequr ose dëbuar me forcë serbët ose për t’i detyruar që të pranojnë Pavarësinë e Kosovës që më pas edhe Serbia t’i njohë si shtet, të cilën ne nuk mund ta bëjmë dot për shkak të Kushtetutës.

Komentet e liderit serb i ngjanin atyre të presidentit Putin natën që njoftoi të ashtuquajturin operacion special.

Në 24 shkurt, presidenti Putin tha se do të çmilitarizonte Ukrainën për të mbrojtur rusët në rajonin e Donbasit nga persekutimi i Kievit.

Vuçiç u ndal edhe te dialogu me Prishtinën për të cilin tha se për sa kohë kryeministri Kurti është pushtet nuk ka progres.

Vuçiç: Unë gjithmonë e kam mbështetur dialogun. Ne donim të kishim një dialog të vërtetë, por sot ai nuk ekziston me Kurtin. Dhe fakti që do të na urdhërojnë se çfarë do të bëjmë dhe si, është histori e vjetër.

52-vjeçari kritikoi Bashkimin Evropian duke pretenduar se po vepronte me dy standarde me palën serbe dhe atë kosovare.

Vuçiç: Serbia nuk pret asgjë pozitive nga bisedimet me Kosovën, sepse në fakt ata nuk janë duke folur, kjo nuk është dëshira jonë, por e tyrja për të mos përmbushur atë që nënshkruan 10 vjet më parë. Askush nuk po i detyron ata ta bëjnë këtë dhe nga ana tjetër këta që nuk i detyrojnë ata janë në fakt në gjendje të detyrojnë dhe mërzisin njerëzit tanë për gjithçka që është në anekset e Marrëveshjes së Brukselit.

Tv Oranews