Serbët mblidhen kundër Aleancës Shqiptaro-Kroate, Dodik thërret takim urgjent me Vuçiç

2 Prill 2026
Aleanca ushtarake mes Tiranës, Zagrebit dhe Prishtinës ka trembur Milorad Dodiku në Republikën Serpska, i cili ditën e djeshme ka bërë të ditur se do të thërrasë një takim me Aleksandër Vuçiçin për të dalë me një qëndrim të përbashkët lidhur me këtë kërcënim që sipas tij po i kanoset botës serbe. “Në seancën e Kryesisë së Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur, diskutuam gjithashtu ndikimin e aleancës ushtarake të Zagrebit, Tiranës dhe Prishtinës. Arritëm në përfundimin se ajo përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për Republikën Serbe”, shkroi Dodik.
Në të njëjtën linjë paranojake janë edhe deklaratat që vijnë nga Beogradi. Mitar Kovaç, anëtar i Komisionit parlamentar për Mbrojtjen në Serbi, tha se kërcënimi është real dhe kërkoi reagim të menjëhershëm. “Rreziku që aleanca ushtarake mes Tiranës, Zagrebit dhe Prishtinës përbën për Republika Srpska është real dhe për këtë arsye duhet të organizohet sa më parë një takim mes liderëve të Serbisë dhe Republika Srpska, por mundësisht edhe një takim trilateral me Hungarinë”, deklaroi ai.
Ai shtoi se koha e këtij takimi duhet vlerësuar me kujdes dhe nuk përjashtoi mundësinë e një koordinimi më të gjerë me Hungarinë e Viktor Orbanit. “Nuk jam larg idesë që, duke qenë se Republika Srpska dhe Serbia kanë marrëdhënie shumë të mira me kryeministrin hungarez Viktor Orbán, mund të presim momentin e duhur dhe të organizojmë një takim trilateral në atë nivel”, tha Kovaç. Sipas tij, Republika Srpska është më e rrezikuara nga kjo aleancë dhe Serbia duhet të kërkojë aleanca të tjera në rajon, jo vetëm me Hungarinë por edhe me Italinë. “Kjo aleancë nuk u ngrit më kot dhe as nuk është e natyrshme, përkundrazi doli nga ndikimi i disa prej vendeve europiane, siç është Britania e Madhe dhe Gjermania”, u shpreh ai.
Nga Gazeta Sot
