Dhjetor 2019 – 85% e familjeve të prekura vazhdojnë të kenë strehimin si shqetësimin e tyre kryesor. Kjo është një ndër gjetjet kryesore të raportit të parë të vlerësimit të shpejtë të situatës pas tërmetit (Basic Rapid Assessment) të ndërmarrë nga World Vision Albania në 4 prej bashkive më të prekura (Durrës, Kamëz, Kurbin, Lezhë) nga tërmeti i 26 Nëntorit që goditi Shqipërinë.

Sipas raportit, banorët e anketuar të Bashkisë së Kurbinit raportojnë strehimin si nevojën më emergjente. Gjetjet tregojnë se përveç shtëpive të dëmtuara, situata në këtë zonë vështirësohet edhe nga faktorë të tjerë siç është numri i lartë i personave me aftësi të kufizuara dhe varfëria.

Problemi i dytë më i rëndësishëm lidhet me numrin e lartë të raportimve të fëmijëve dhe të të rriturve që përjetojnë shenja të stresit pas traumës, përfshirë këtu pagjumësi, frikë, ankth dhe humbje oreksi. Këto shifra janë më të theksuara tek banorët që jetojnë në çadra (88.4%) dhe ata që ende jetojnë në shtëpitë e dëmtuara (85.2%).

Në situatën e krijuar pas tërmetit në Shqipëri ishte parësore që krahas ndërhyrjes së menjëherëshme të World Vision për nevojat më emergjente në zonat e prekura, të kishim edhe një pamje sa më konkrete të nevojave bazike që kanë familjet. Për këtë arsye, ndërmorëm një proces monitorimi që u finalizua me këtë raport. Ky vlerësim u finalizua brenda një kohe rekord dhe reflekton jo vetëm situatën në terren, por edhe na orienton se ku duhet të fokusohemi ne si World Vision, por jep edhe rekomandime për partnerët tanë të pushtetit qendror, vendor, organizatave të shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë të angazhuar me emergjencat.

Sipas prindërve, 74% fëmijëve janë të frikësuar dhe të traumatizuar, prandaj ata duhet të jenë në fokus të çdo mase të marrë nga të gjithë aktorët në çdo sektor. Por frika që tërmeti la pas tek secili prej nesh është e dukshme, prandaj është e nevojshme që të gjithë familjes t’i ofrohet mbështetja e duhur.” – thekson Eljona Boçe Elmazi, drejtoresha kombëtare e World Vision Albania.

Disa ndër të dhënat kryesore të këtij raporti lidhen edhe me mungesën e informacionit të banorëve në zonat rurale për shërbimet mbështetëse që janë vënë në dispozicion të të prekurve; simptomat e sëmundjeve fizike apo nevojat e përditshme.

Rezultatet e raportit japin informacion për situatën e 2460 banorëve, mes tyre 951 fëmijë. Pesë fushat kryesore të anketimit lidhen me strehimin; shëndetin; të ardhurat; edukimin; aksesin në informacion dhe nevojën për ujë, ushqim dhe mbrojtje.

Që në orët e para pas tërmetit, World Vision Albania iu përgjigj nevojave më emergjente (në ushqim dhe veshmbathje) të popullsisë së prekur në Thumanë, Durrës, Kurbin, Lezhë dhe Kamëz. Në koordinim me pushtetin qendror dhe vendor, World Vision hapi 2 Hapësirat e para Miqësore për Fëmijë brenda kampit të Thumanës dhe Durrësit. Aktualisht, janë funksionale 3 hapësira miqësore për fëmijë në Shëngjin, Durrës dhe Kamëz.

Raporti i plotë mund te lexohet ne kete adrese: https://www.worldvision.al/gjetjet-e-raportit-te-vleresimit-te-shpejte-te-situates-pas-termetit?fbclid=IwAR03ugeT43QsDCBC7uDx0h-bE-Oujf4GKSIuM5J7li_3496vut75RzI0NcI