6 Maji 2026

Analisti Edvin Kulluri ka deklaruar se raporti i Parlamentit Evropian për Shqipërinë nxjerr në pah problematika të rënda në disa fusha kyçe, përfshirë politikën, krimin e organizuar, ekonominë, korrupsionin, administratën, zgjedhjet dhe presionin ndaj drejtësisë.

I ftuar në një studio televizive Kulluri u shpreh kritik ndaj mënyrës se si raporti është interpretuar nga qeveria, duke ironizuar deklaratat që e kanë cilësuar atë si “raport të mirë”.

“Raporti ngre disa shqetësime, deri te administrata publike që sot është në situatë të rënduar… Raporti përmend disa problematika, situata e rënduar, por edhe kompromisi i shkatërruar nga qeveria socialiste… deri te shkatërrimi i zgjedhjeve, ku administrata u përfshi në zgjedhje. Nuk ndahet shteti nga administrata, është turp i madh”, u shpreh ai.

Sipas Kullurit, një nga gjetjet më serioze lidhet me fondet e Bashkimit Evropian.

“Ose rasti i BE-së, skandal shumë i madh, është hera e parë që qeveria shqiptare grabit edhe lekët e BE-së, rasti i parë që vidhen lekët e BE-së”, tha ai.

Ai shtoi se raporti ngre gjithashtu shqetësime për krimin e organizuar dhe mungesën e funksionimit të institucioneve demokratike.

“Raporti për trafiqet dhe krimin e organizuar, Shqipëria nuk është kurrkund me asgjë… deri te minoritetet”, u shpreh Kulluri.

Një tjetër pikë e fortë, sipas tij, është funksionimi i Kuvendit.

“Mosfunksionimi demokratik parlamentar është gjetja më e rëndë në raport. Ku Parlamenti nuk kontrollon më qeverinë, por qeveria kontrollon Parlamentin”, deklaroi ai.

Kulluri ngriti gjithashtu shqetësime për presionin ndaj sistemit të drejtësisë, duke përmendur SPAK dhe GJKKO si institucione që, sipas tij, përballen me presion verbal dhe mungesë financimi.

Në fund, ai ironizoi edhe reagimet e qeverisë.

“Nuk e di ku jetojnë këta apo që thotë ministri Hoxha se ‘raporti është i mirë’, duket si Liza në botën e çudirave”, përfundoi ai.