Pse nuk transmetohen baladat në televizionet publike?!-

Me pikatore transmetohet një rapsodi apo baladë popullore, një emision a program. Edhe më rrallë i drejtohet mikrofoni një mjeshtri.

Nga: Esat Ruka. –

Çdo artist, veçanërisht ai i muzikës popullore, do të dëshironte që krijimtaria të performohej në skenat më prestigjioze të artit apo të transmetohej në mediat publike. Po cilët prej tyre duhet të promovohen në skenë? Unë, mendoj se janë të shumtë artistët popullorë që bëjnë pjesë në një llogaribërje racionale për disa arsye:

– Sepse ecin në rrugët me “përthyerjet” që ua njohin kthesat dhe
– sepse mbajnë në krahë strajcën të mbushur me “zairetë” e prodhuara nga kopshti i vet.

Edhe unë jam njëri prej tyre. Përvoja ime në frontin e kulturës është udhëhequr nga principe të formimit kulturor e artistik dhe të angazhimit qytetar. Veçanërisht krijimtaria muzikore, është një proces bashkëpunimi me autor teksti, orkestruesi, intepretetuesi, produksioni, etj. Ata kanë përcjellë mesazhe të qëndresës duke listuar emra personalitetesh, që i kanë prirë popullit tonë në periudha të ndryshme të qëndresës heroike dhe kanë mbetur të pavdekshëm në memorien e kësaj historie. Jam krenar në këtë por, a ka patur faturë, kjo sipërmarrje? Padyshim. Të guxosh të dalësh në skenë me emra burrash shteti, që janë anatemuar nga sistemi paranojak i mohimit të historisë reale  kombëtare, sigurisht që do të të përbaltin.  “Kur ecën gjithë jetën në rrugët me baltë, vështirë se mund të shpëtosh pa u spërkatur me ‘të”- më thoshte z. Kol Berisha, ish kryetar i Parë i Parlamentit të shtetit të Ri të Kosovës.

Këndova me shpirt për Azem Hajdarin, idhullin e demokratëve, pa menduar kurrë se të nesërmen ajo këngë do të përhapej si “Marsejeza” – himni i luftës në Francë kundër nazifashizmit. “Divizionet në Francë në vitet e luftës kërkonin “në se nuk mund të plotësoni kontingjente të rinj me ushtarë. Lutemi na dërgoni mijëra kopje të këngës “Marsejeza” mbasi me atë himn në gojë ushtarët tanë i qindfishojnë forcat në fitore”. E unë, nuk e ndala “vrapin” e krijimit të baladave të kësaj linje.  Asnjë nga këto krijime artistike nuk kanë edhe një fjalë të vetme që të shpreh brutalitet, fyerje apo emra kundërshtarësh politikanë. Po të ndodhte kështu, nuk do t’i quaja krijime artistike.

Mbi 25 vite këto këngë kanë qarkulluar gjithë hapësirat shqiptare e në diasporë, por janë destinuar si duket të transmetohen vetëm nga ndonjë media e njohur si e djathtë pa u prezantuar e respektuar në skena. Për periudhën e drejtimit të vendit nga subjekti politik të majtë, që e ka në strategjinë e saj politike  t’i ndajë krijimet nga mesazhet politike (edhe kur ato kanë mesazhe vlerash atdhetare), nuk mund ta shijoja prezencën në mediat apo koncerte festash e ngjarjesh. Në ato koncerte, (ndoshta për të plotësuar edhe deficitet 50-vjeçare)  duhej të “vlonte” rryma e re muzikore, pasi “duhet t’i ngjajmë botës moderne dhe të tregonim artistikisht klasë qytetar evropian”.

Por është paksa e pajustifikuar, mendoj qëndrimi i dyzuar i disa institucioneve qendrore mediatike, kulturore e artistike, që “flasin me krenari” për realizime platformash e programesh të një qeverisje “ndryshe”. Të një qeverisje që në themel të programit të saj, ka në radhë të parë vlerat kombëtare dhe kontributet e njerëzve qëndrestarë e progresistë, antikomunistë e zëdhënës të qytetërimin bashkëkohor, por edhe të korrigjimeve të ngjarjeve a promovimin e emrave të përbaltur padrejtësisht.

Nga njëra anë TV-të transmetojnë kronika të vlerësimeve të këtyre personaliteteve me titujt më të Lartë “Nderi i Kombit” “Urdhri i Skënderbeut”, “Dëshmorë i Demokracisë” etj, nga instancat më të larta të shtetit shqiptar, nga ana tjetër hezitojnë të transmetojnë krijimtarinë artistike që jetësojnë kontributin historik dhe vlerat qytetare të këtyre personaliteteve. Nuk mendoj se është normale të pranohet kjo rrudhosje, anashkalim, mosvlerësim, denigrim apo fyerje ndaj kontributeve të tilla artistike.  Çfarë guximi specifik apo çfarë sakrifice kërkohet për të transmetuar për publikun apo për t’i bërë pjesë të skenës këto krijime?. Në ekranet tona gjejnë vend mjaft “risi”, mesazhi i të cilave nuk ka lidhje me vlera të njëmendta kulturore e me kulturën tonë tradicionale.

Është e dhimbshme, mendoj, kur shumë rrallë, si me pikatore transmetohet një rapsodi apo baladë popullore në televizionet tona (sidomos në ato publike) apo rrallë futet në programet e tij një emision apo program i posaçëm për trashëgiminë artistike kombëtare.Jo vetëm që nuk i drejtohet mikrofoni ndonjë mjeshtri apo bardi e  (që tashmë kanë zbritur edhe në Bathore), apo kur mbahen festivale folklorike (që tashmë i quajnë edhe mbarëkombëtare) nuk bëjnë as një kronikë, qoftë edhe vëzhgim. Madje kjo është një problematikë tjetër, mbasi deformimet, cilësia e ulët, moszbatimi i kritereve, mungesa e donacioneve, etj janë çështje mjaft shqetësuese për trashëgiminë shpirtërore. Kemi parë dikur ndonjë kronikë, ku vishen me kostume popullore bashkëshortet e ambasadorëve në Tiranë. Apo kur vetë Kryetarja e Parlamentit shqiptar znj. Topalli organizonte veprimtari për veshjet tradicionale, pikturën etj.  Mund dhe duhej të rrezatonte kjo përvojë e mirë, por si duket përvoja të tilla shmangen si të  infektuara dhe organizmat “e rinj” ndërtojnë rrugë alternative.

Rapsoditë popullore, zhanri muzikor më i hershëm

Janë rapsoditë popullore, zhanri muzikor më i hershëm, më flakërues, më masiv dhe më demokratik, që ka memorizuar, pasuruar e pasqyruar vlerat e historisë sonë kombëtare dhe prijësve popullorë… Ndoshta ka ardhur koha të rikujtojmë, se nuk janë ngjatjetuar fizikisht heronjtë kombëtarë që nga Milosh Kopiliqi e Marko Boçari, Isa Boletini e deri te Adem Jashari, por talenti i muzës popullore i ushqyer me dashurinë për tokën mëmë, gjuhën shqipe, lirinë dhe dinjitetin kombëtar, na i kanë sjellë të gjallë e krenarë nëpërmjet vargjeve, melosit e zërit të bukur të rapsodëve e grupeve popullore. Këto krijime kanë ndezur sallat në kala e institucione, në ambiente familjare e terrene te hapura, brenda e jashtë kufijve shtetërorë. Po kujt duhet t’ia rikujtojmë këtë pasuri për ta nxjerrë nga  arkivat, për ta freskuar e ripërtrirë? Janë shkruar monografi dinjitoze për “princër polifonie”, “princër rapsodie” etj., ku janë transmetuar kronika shumë dinjitoze nga disa stacione televizive, duke dhënë intervista me vlerësime superlative ndaj krijuesve të këtyre zhanreve. Po transmetimi e promovimi i krijimeve të mirëfillta të autorëve të njohur, kujt do  t’i lihen?!

Padyshim, që kjo do të ndodh, kur të arratiset nga institucionet tona frika ndaj përsëritjes së tematikës së dikurshme në krijimtari. Kjo mund të ndodh edhe kur, në tryezat e punës të kemi një platformë me të qartë e më të plotë të politikave kulturore të ruajtjes, mbrojtjes, përcjelljes dhe promovimit të vlerave kombëtare. Dhe kjo mendoj, nuk mund të kryhet mirë pa një front unik kulturor i mbajtjes ndezur të këtyre interesave nga njerëz përgjegjës e të përgjegjshëm ndaj kontributeve artistike origjinale e unike. Të mos kemi frikë ne drejtuesit e institucioneve apo emisioneve, se nuk do të këndohen më këngë për Kinën, Stalinin, apo kundër fesë, zakoneve prapanike, apo për stahanovistët e sistemit kooperativist, rendimentet në qumësht e perime, çetat vullnetare etj. Por, këngët për heronjtë e firmëtarët e Akteve Kombëtare, themeluesve të shtetit modern shqiptar, prijësve popullorë e kryengritjeve masive, qëndresës heroike e përpjekjeve të shqiptarëve për liri e dinjitet, mbrojtjen e gjuhës e traditave tona, nuk mund të mos gjejnë vend në krijimtarinë e artistëve popullorë e nuk mund të mos stimulohen e promovohen nga institucionet tona. Këto balada kanë vlera kapitale si pamje e gjerë faktike e traditës dhe e realitetit tonë jetësor, prandaj edhe kanë lënë gjurmë të arta në panteonin  e krijimtarisë artistike.