6 Maji 2025

Partia Social Demokrate sërish kundër Benet Becit në Bashkinë e Shkodrës. Është hera e dytë që këshilltarët socialdemokratë bojkotojnë mbledhjen, pasi në rend të ditës është miratimi i kalimit në administrim plazhit të Velipojës një shoqërie aksionere.

Përmes një deklarate për shtyp, PSD Shkodër thotë se administrimi i plazhit të Velipojës do të bëhet nga një tjetër kompani që lidhet me bashkëshorten e Benet Becit, kryetarit aktual të Bashkisë Shkodër.

DEKLARATË PËR SHTYP

Shkodër, më 6 maj, 2025

Partia Social Demokrate, dega Shkodër

PSD nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Shkodrës më 7 maj, vetëm katër ditë para zgjedhjeve parlamentare, ku përveç ndihmës sociale prej 6%, Benet Beci kërkon të kalojë në administrim plazhin e Velipojës shoqërisë aksionare të bashkisë Shkodër “Bio Strajca sh.a” dhe më pas një kompanie të lidhur me bashkëshorten e tij.

Ne nuk kushtëzojmë askënd dhe jemi të gatshëm të votojmë ndihmën sociale më 13 maj, pas zgjedhjeve, por nuk bëhemi palë me korrupsionin e Benet Becit.

Benet Beci kërkon t’u grabisë qytetarëve hapësirat publike në Velipojë dhe t’i kthejë me pagesë, kaq i pangopur është. Ne si PSD do ta denoncojmë dhe do kërkojmë hetim për çdo tenderim të dyshimtë.

PSD nuk bën kompromis me abuzimin dhe kapjen e pasurive publike nga ana e kryebashkiakut Beci.

Mbetemi të palëkundur në mbrojtjen e interesit publik dhe jemi të vendosur të jemi zëri i qytetarëve dhe jo fasada e marrëveshjeve të fshehta politike apo familjare të kryetarit të bashkisë.

Ne ritheksojmë se jemi në mbështje të familjeve në nevojë të cilat janë thelbi i programit të PSD në këto zgjedhje dhe po ashtu jemi të gatshëm që ta votojmë kurdo herë pas 11 majit fondin 6% të ndihmës sociale.

Nga: BalkanWeb