2 Prill 2026

Ish-kryeprokurori i SPAK Arben Kraja, u kujdes që në mbyllje të mandatit të tij në strukturën e Prokurorisë së Posaçme, një dosje të rëndë siç ishte tenderi i veshjeve të punonjësve të policisë ta kthente në çështjen më qesharake, duke marrë të pandehur vetëm disa nëpunës të thjesht të prokurorimeve në Ministrinë e Brendshme.

I gjithë dokumentacioni, vlerësimi tenderit, përzgjedhja dhe çdo detaj tjetër kaloi nga sytë e juristit të mirënjohur, njohësit më të madh të ligjeve që nga e drejta zakonore deri në kodet penale modern, e madje “zbërthyes” edhe i kodit të Da Vinçit, politikanit të vlerave të mëdha, Plarent Ndreca, në atë kohë Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme.

Ai doli tërësisht pa u lagur nga kjo aferë e frikshme, ku një kapele polici ishte vlerësuar deri në 280 euro. Por kokat e “mëdha” të politikës, festën e zgjedhin vetë… Tashmë ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme dhe ish-deputet i PS-së ka vendosur të “sfidojë” drejtësinë në dy sulme të hapura. Fillimisht ai u shfaq si avokat i Erion Veliajt, kryebashkiakut të Tiranës të arrestuar më 10 shkurt të vitit të kaluar për 13 akuza dhe për dosjen personale ku Ndreca është i akuzuar dhe po përballet në gjykatë për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera ose ankande publike”, për rikonstruksionin e disa komisariateve.

Në lëmin e madh të avokatëve, Veliaj mund të zgjidhte këdo, sepse ia mban xhepi të marrë edhe avokatë ndërkombëtarë, por preferoi t’i veshë mantelin e zi mbrojtës, Plarent Ndrecës, personit që zyrtarisht është i pandehur dhe ndaj tij dhe disa të tjerëve vlerësues ofertash në tenderat e Ministrisë së Brendshme po zhvillohet proces gjyqësor.

Ligjërisht askush nuk e pengon, por hendeku moral, edhe në një pushtet që amoral, nuk mund të shkilet kaq rëndë, pasi është sfidë force që i ushtrohet gjoja institucionit të pavarur që thotë se nuk trysnohet nga politika, por prej saj po i vjen fundi. Kapadaitë e Rilindjes, që natën bëjnë “analistin” dhe ditën avokatin dhe të pandehurin njëkohësisht, po dalin haptas për të varrusur njëherë e mirë sistemin e ri të drejtësisë, për të mos i lënë mundësi as për të pasur disa “statistika” për raporte ndërkombëtare.

Mënyra që kanë zgjedhur nuk është nëpërjet çarjeve ligjore apo nismave politike po ballazi, me arrogancë dhe në formë demonstrative. Ashtu siç zgjodhi të bënte edhe Ilir Beqja, i cili herë tallej e herë sfidonte Prokurorinë Speciale me klauzola ligjore dhe kërkesa për zyra komode që të njihej me dosjen penale ndaj tij. Një veprim që gjithsesi acaroi më shumë institucionin e akuzës, duke i vendosur më pas akuza të rënda qoftë edhe për fatura fiktive të drekave dhe darkave me fondet e BE-së.

A është rasti aktual i ngjashëm? E sigurt mbetet se SPAK është i trembur, ndërsa ka vendosur veten në cepin e ringut dhe po pranon grushtat e rëndë të kapadaive të pushtetit, duke bërtitur që “arbitri ndërkombëtar” të ndërpresë dhunën. /Nga Boldnews.al