”Arbërit e Jonit” i Pëllumb Xhufit

Në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave u prezantua libri ”Arbërit e Jonit” i Pëllumb Xhufit, fitues i çmimit “Çabej”, në edicionin e I të konkursit shkencor të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Përmes një ligjërate shumë interesante, autori, Pëllumb Xhufi bëri prezantim të hollësishëm të monografisë mbështetur në burime të reja, të pakëshilluara deri më sot, kryesisht perëndimore. Autori saktëson rast pas rasti shtrembërimet e historisë së arbërve të nën-Vjosës, si dhe çmonton manipulimet romantike me përcaktimet që gjenden në burime për etnicitetin e besimin.

Prof. Xhufi vuri në dukje edhe përpjekjet e mëdha për të hulumtuar në arkivat e Venecies, të cilat kanë një material të bollshëm, që do të kërkonin një kohë dhe një numër të konsiderueshëm historianësh.

Studimi “Arbërit e Jonit”, është një ngjarje shkencore që e pasuron më tej historiografinë shqiptare për shek XV-XVIII, e që shënon një vazhdimësi të denjë të profesorëve të Mëdhenj Aleks Buda dhe Kristo Frashëri.

Ky punim e vendos prof. Xhufin në radhën e parë si njohës i thellë i problemeve të lidhura me marrëdhëniet historike të Republikës Veneciane me bregdetin shqiptar, dhe lidhjet veneciane-shqiptare në shekujt para dhe pas pushtimit osman. Me dokumentacionin e bollshëm nga arkivat e Venedikut, (mijëra dokumente arkivore të tretura mjeshtërisht si gur themeli në një studim voluminoz prej 1400 faqesh), profesori vërteton përkatësinë Arbërore të banorëve të Jonit si një popullsi shqiptare që përputhet me vendbanimet e lashta ilire.Veç aspekteve të historisë politike, ekonomike, sociale e kulturore, në këtë botim lexuesi do të konstatojë edhe një analizë rigorozisht shkencore për etnografinë dhe prejardhjen e territoreve të Epirit në shek e XV-XVIII, e munguar në studimet e deritanishme për këtë trevë.

Ky studim monumental na jep të drejtën të pohojmë se Shqipëria e poshtme paraqitet si një nga vatrat kryesore kulturore të Ballkanit në krahinat e ulëta dhe detare. Në studimin mahnitës të prof. Xhufit, gjendet si e pikturuar me ngjyra ari… Lufta e madhe e popullit shqiptar për ekzistencë, qëndresa e një lloji të veçantë. Dokumentohen interesa e kontradikta mes aleatëve për ta pasur Shqipërinë pronë, taktika dhe strategji, diplomaci dhe politikë, metoda të buta dhe të forta të venedikasve, dhelpërira dhe pabesi, marrëveshje të fshehta e të hapura, dypalëshe e trepalëshe, provizore, konjukturale e mashtruese. Dokumentohen pushtime e ripushtime, sulme dhe tërheqje, kundërsulme, djegie, shkatërrime, masakra dhe dinakërira. Të gjitha këto dokumente historike, na bëjnë të përfytyrojmë tablo të shumëllojshme… dhe të besojmë se historia shekullore e popullit të Shqipërisë së poshtme, është e larë me gjak. Autori ka kapërcyer suksesshëm jo pak “prita” që rezervonte dokumentacioni që dispononte.

Punimi përshkohet nga një logjikë e fortë, argumentim bindës, dhe parashtrim dokumentar që lexohet lirshëm si histori romanteske. Por ne do të ndalemi në problemin që sot, shfaqet i ndërlikuar dhe vështirëson herë pas here edhe marrëdhëniet politike: përkatësinë shqiptare të Epirit dhe Himarës.