28 Mars 2023

Nga VALENTINA MADANI

Partia Demokratike me kryetar të komanduar, Enkelejd Alibeajn, do të hyjë në zgjedhjet e 14 majit me kandidatë për kryetar bashkie vetëm në disa bashki.

Alibeaj dështoi të garonte me kandidatë për kryetar në të 61 bashkitë e vendit. Në mbledhjen maratonë të kryesisë të së dielës, Kryesia zyrtarizoi kandidatët për 16 bashki, duke lënë qytetarët e 45 bashkive pa emrin e një kandidati që do të përfaqësonte PD që mban vulën ligjërisht.

Alibeaj vendosi që Roland Beko të jetë kandidati që do të sfidojë kandidatin e primareve Belind Këlliçin dhe kandidatin e PS, Erion Veliaj. Ky skenar, solli reagime të forta nga deputetët demokratë kundër Enkelejd Alibeajt. Deputeti Agron Gjerkmarkaj i bëri thirrje Alibeajt të dorëzojë vulën e PDsë, pasi dështoi të nxjerrë kandidatë për të gjitha bashkitë.

“Sot, ‘vula’ ka më shumë forume se anëtarë. U drobitën forumet mbledhje pas mbledhjeje për të mos bërë asgjë. Një parti politike që nuk merr pjesë në zgjedhje nuk duhet të ekzistojë dhe s’ka pse mban peng vulën që mund ta përdorin të tjerët. Një parti që nuk gjen kandidatë duhet ta ulë qepenin. Do të ishte më e ndershme që në një sini ‘vula’ të udhëtonte nga ‘Kotoni’ si koka e Ali Pashës drejt ‘Shqupit’. Ta pranojmë qe dështuam duke mos bërë asgjë, me sytë hapur shihnim qiellin dhe ëndërronim se çfarë bie nga sipër. Ta pranojmë që nuk paskemi bërë betejë parimore për asnjë çast”, deklaroi z. Gjekmarkaj.

Ai tregon dhe propozimin që pati ndaj PD së drejtuar nga Alibeaj në mbledhjen e grupit parlamentar.

“Duke mos ditur se çfarë jemi nuk po dimë se çfarë po bëjmë. Në pamundësi për të pasur njerëz, për të nxjerrë kandidat u sugjerova kolegëve të mi ta çonin ‘vulën’ që parmbrëmë te Sali Berisha. E kisha pa asnjë grimë cinizmi. Më burrërore është. Duhet pranuar dështimi”, u shpreh Agron Gjekmarkaj. Nga skenari për të garuar në zgjedhjet lokale me dy kandidatë është distancuar edhe deputeti Dashnor Sula.

“Ne nuk duhet të nxjerrim kandidatë kundër kandidatëve të primareve. Unë distancohem nga kjo lëvizje. Është e gabuar të çajmë votën opozitare. Ndihmon partinë në pushtet. Nëse ne na dhimbset logo e partisë dhe duam ta forcojmë, atëherë blindojmë këshillat bashkiakë. Nëse vërtet duam të ruajmë flamurin, logon e vulën e PD jua ofrojmë qytetarëve me këshilla bashkiakë. Ndërkohë edhe kandidatët për kryetar bashkie janë një prej nesh”, u shpreh z. Sula.

Kundër skenarit për të garuar me dy kandidatë ishin dhe deputetët Gazment Bardhi, Jorida Tabaku, Flamur Hoxha Saimir Korreshi, Dhurta Cupi, Bledion Nallbait dhe Lefter Gështenja. Vizita e presidentit austriak në parlament zgjoi Lulzim Bashën, të vendosur për t’iu rikthyer arenës politike. Emri dhe firma e tij përplasi ashpër dy grupimet brenda PD-së, por Lulzim Basha nuk i njeh asnjë përgjegjësi vetes. “Përgjegjës është ai që ka përçarë PD-në. S’kam asnjë koment tjetër për sot”, tha Basha. Madje, këtë periudhë paqeje, e shfrytëzoi për të mbledhur forcat për një fushatë në të gjithë vendin. “Sigurisht që po, në të gjithë Shqipërinë”, tha Basha.

KANDIDATËT E PD NË 16 BASHKI

BASHKIA TIRANË
Roland Bejko
BASHKIA MALLAKASTËR
Agron Kapianal
BASHKIA POLIÇAN
Florian Qamo
BASHKIA KUÇOVË
Ilirjan Koxhaj
BASHKIA KAMZË
Bilbil Bajraktari
BASHKIA LEZHË
Sandle Marku
BASHKIA KRUJË
Sabah Sheta
BASHKIA DIBËR
Naim Gazidede
BASHKIA URA VAJGURORE
Dritan Sula
BASHKIA PATOS
Pranvera Rizai
BASHKIA FIER
Eriselda Zotaj
BASHKIA LIBRAZHD
Bujar Vreto
BASHKIA VORË
Ibrahim Bruka
BASHKIA KORÇË
Gjergji Gjata
BASHKIA SARANDË
Skënder Muço
BASHKIA MIRDITË
Mark Ruçi