Kërcënimi kryesor është neglizhenca totale e administratës përgjegjëse, pra Ministria e Kulturës Instituti i Monumenteve të Kulturës.

Nga: Julia Vrapi

 

 

Kishat e Voskopojës e Vithkuqit në listën e 7 më të rrezikuarave në Europë. Gjatë Vitit Europian të Trashëgimisë Kulturore, “Europa Nostra” organizata kryesore e trashëgimisë në Europë dhe Instituti i Bankës Europiane të Investimeve kanë emëruar monumentet më të kërcënuara të trashëgimisë në kontinent. Kishat Pas-Bizantine në Voskopojë dhe Vithkuq në Shqipëri janë renditur në listën e 7 më të rrezikuarat të trashëgimisë në Europë në 2018. Organizata “Europa Nostra” bën me dije se këto shembuj të dukshëm të trashëgimisë kulturore të Europës janë në rrezik të madh, disa për shkak të neglizhencës ose zhvillimit jo të përshtatshëm, të tjerat për shkak të mungesës së ekspertizës ose burimeve. Kishat e Voskopojës e Vithkuqit janë një grup 12 kishash të ndërtuara në shekujt 17 e 18. Ato janë provat më autentike të zhvillimit ekonomik të këtyre qendrave kristiane gjatë regjimit Otoman në Ballkan.Organizata “The Past for the Future” (E shkuara për të ardhmen), e cila bëri dhe propozimin në organizatën “Europa Nostra” ka identifikuar shumë kërcënime për këto kisha. Kërcënimi kryesor është neglizhenca totale e administratës përgjegjëse, pra Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Ministria e Kulturës. Dhe kur gjatë kësaj kohe ministrja Kumbaro po flet për trashëgiminë, duke mos pranuar dhe gjendjen e rënduar në objekte të ndryshme, kishat e Voskopojës dhe Vithkuqit përzgjidhen në 7 më të rrezikuarat nga “Europa Nostra”. “Dëmtimet nga uji, lagështira kërcënojnë pikturat e brendshme murale, veçanërisht në kishat që kanë humbur edhe çatitë ose dritaret nga dëmtimet. Disa nga afresket po humbasin ngjyrat e tyre prej kontaktit të drejtpërdrejtë me shiun ose dritën e diellit.

Shumë nga pikturat murale të teknikës së afreskut, po shkëputen nga muret dhe janë gati të bien përtokë”,  thuhet në materialin e fondacionit “E shkuara për të ardhmen”. Kliti Kallamata drejtues i fondacionit  pohon se prej vitesh janë në gjendje të mjerueshme. “Ne punuam për të nominuar një grup prej 12 kishash të periudhës Pas-bizantine në Voskopojë e Vithkuq, të cilat prej vitesh janë në gjendje të mjerueshme. Këto kisha janë monumentet më përfaqësuese të artit kishtar të shekullit 17-18 në Ballkan dhe janë kryevepra të stilit Pas-Bizantin. Vlerat e këtyre kishave i kalojnë kufijtë e Shqipërisë”, thotë Kallamata. I pyetur për përgjegjësitë e Ministrisë së Kulturës dhe IMK, Kallamata pohon se ka pasur dhe restaurime që nuk janë kryer nga profesionistët. “Prej vitesh ka pasur probleme e mungesë investimesh, por edhe kur nuk kanë munguar investimet, siç ka ndodhur vitin e kaluar, këto nuk janë kryer nga profesionistë për restaurime. Gjendja e këtyre monumenteve vazhdon të jetë në rrezik për vlerat që ato mbartin. Ne nuk na takon të nxjerrim përgjegjësitë e institucioneve përgjegjëse. Këto analiza ata duhet ti bëjnë vetë. Ne jemi për të ndihmuar që këto monumente me vlera unikale për historinë e këtij vendi të dalin nga rreziku që u kanoset, të restaurohen në nivelin bashkëkohor dhe tu zgjatet jeta për tu shërbyer jo vetëm brezave të sotëm por edhe atyre që do të vijnë pas nesh”, vijon arkitekti dhe restauratori Kallamata.

Domingo: Thesare të trashëgimisë, në rrezik humbje

Ekspertët nga “Europa Nostra” dhe Instituti i Bankës Evropiane të Investimeve, së bashku me partnerë të tjerë dhe propozues, do të vizitojnë 7 vendndodhjet e përzgjedhura dhe do të takohen me aktorët kyç në muajt në vijim. Ekipet multidisiplinare do të ofrojnë këshilla teknike, do të identifikojnë burimet e mundshme të financimit dhe do të mobilizojnë mbështetje të gjerë për të ruajtur këto monumente. Specialistët do të formulojnë plane veprimi të mundshme për vendndodhjet e listuara deri në fund të vitit. President i “Europa Nostra” maestro Plaçido Domingo tha se kjo listë e re me 7 më të rrezikuarat përfshin thesare të trashëgimisë që po humbasin. “Kjo listë më e re e 7 më të rrezikuarve përfshin thesare të rralla të trashëgimisë kulturore të Europës, që janë në rrezik të humbasin. Komunitetet lokale janë thellësisht të angazhuara për të ruajtur këto shembuj të rëndësishëm të trashëgimisë sonë të përbashkët, por kanë nevojë për mbështetje më të gjerë europiane. Prandaj, u bëj thirrje aktorëve lokalë, rajonalë, kombëtarë dhe europianë, si publikë ashtu edhe privatë, që të bashkojnë forcat për të siguruar një të ardhme të dobishme për këto vendndodhje” pohon maestro Domingo. Programi 7 më të rrezikuar nisi në janar të vitit 2013 nga “Europa Nostra” me Institutin e Bankës Europiane të Investimeve si partner themelues.

Ajo u frymëzua nga një projekt i suksesshëm i ngjashëm i drejtuar nga Trusti Kombëtar Amerikan për Ruajtjen Historike. 7 më të rrezikuarit nuk është një program financimi. Qëllimi i tij është që të shërbejë si një katalizator për veprim dhe për të promovuar “fuqinë e shembullit”. Ai ka mbështetjen e programit Europa Krijuese të Bashkimit Europian, si pjesë e projektit të rrjetit Europa Nostra “Trashëgimi e përbashkët – Vlera të Përbashkëta”.