Ndërkohë që Shqipëria i shkatërron, KE jep miliona euro për monumentet e dëmtuara nga tërmeti

Nga Lorena Resulaj

Kala, monumente, muze dhe site arkeologjike u dëmtuan rëndë pas tërmetit të 26 nëntorit. Komisioni Europian do i vijë në ndihmë Shqipërisë për restaurimin e tyre me një fond prej 50 milionë eurosh. Fondi i miratuar nga KE është pjesë e një pakete prej 100 milionë eurosh, në mbështetje të qeverisë shqiptare për rehabilitimin dhe rindërtimin pas tërmetit shkatërrimtar.

Gjithashtu ky financim është pjesë e premtimit të Komisionit Europian prej 115 milionë eurosh të ofruara gjatë Konferencës Ndërkombëtare të Donatorëve në fillim të këtij viti.

Programi i sapomiratuar do të përqendrohet në rehabilitimin dhe rindërtimin e objekteve arsimore, përfshirë mobilet dhe pajisjet, për t’u mundësuar fëmijëve dhe të rinjve të kthehen në shkollë me kushte dhe lehtësira më të mira. Ai do të bazohet në punimet e nisura tashmë në kuadrin e programit ekzistues të rindërtimit prej 15 milionë eurosh të financuar nga Komisioni Evropian. Programi i ri do të financojë më tej rehabilitimin e siteve të dëmtuara të trashëgimisë kulturore, përfshirë monumente, muze, biblioteka dhe vende arkeologjike, duke kontribuar në këtë mënyrë edhe për zhvillimin ekonomik vendor.

I gjithë ndërtimi do të ndjekë parimin “Rindërto më mirë”, duke zbatuar norma të qëndrueshme ndërtimi dhe duke zvogëluar rrezikun e ardhshëm, si dhe duke rindërtuar infrastrukturë dhe sisteme më të forta, më të sigurta dhe më rezistente ndaj katastrofave. Masa e veçantë do të sjellë gjithashtu përmirësime në efiçencën e energjisë.

Ndërkohë që Europa ofron mbështetje të madhe, vendi ynë po përballet me një nga periudhat më të vështira për trashëgiminë kulturore. Prej kohësh monumentet e kulturës kanë mbetur në mëshirë të fatit, sepse një pjesë prej tyre po shkatërrohen me vendime të qeverisë e të tjerë dëmtohen nga vandalë që përfitojnë nga mungesa e sigurisë.