31 Korrik 2026

Një tërmet i fuqishëm ka tronditur mbrëmjen e së premtes zonën vullkanike të Campi Flegrei në jug të Italisë, duke shkaktuar panik në Napoli dhe qytetet përreth. Lëkundja me magnitudë paraprake 4.7 u regjistrua rreth orës 19:46 dhe, sipas Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV), është më e forta e regjistruar ndonjëherë në këtë zonë të lidhur me aktivitetin e bradisizmit.

Pas goditjes kryesore, aktiviteti sizmik vijoi me disa pasgoditje. Deri në mbrëmje u regjistruan të paktën nëntë lëkundje të tjera, ndërsa një tjetër tërmet i fortë u ndje rreth orës 22:00. Frika për një situatë më të rëndë bëri që mijëra banorë të largoheshin nga banesat dhe të qëndronin në ambiente të hapura

Dëmet më të mëdha janë raportuar në Pozzuoli, një nga zonat më të prekura nga lëkundjet. Një mur mbrojtës pranë linjës hekurudhore Cumana u shemb mbi shina, duke detyruar pezullimin e qarkullimit në disa linja transporti si masë sigurie. Gjithashtu u ndërprenë përkohësisht linjat Cumana, Circumflegrea dhe metroja për kontrolle teknike.

Në disa zona janë evidentuar rrëshqitje shkëmbinjsh, ndërsa në nënkalimin Savino Vitagliano gurë dhe materiale shkëmbore ranë mbi automjete. Në disa ndërtesa u raportuan dëmtime të suvave dhe elementëve të brendshëm, ndërsa disa banorë mbetën përkohësisht të bllokuar në apartamente për shkak të deformimit të dyerve.

Autoritetet italiane aktivizuan menjëherë strukturat e emergjencës. Prefektura ngriti Qendrën e Koordinimit të Emergjencave, ndërsa shërbimet e Mbrojtjes Civile nisën verifikimet në zonat e prekura.

Sipas INGV-së, lëkundja lidhet me fenomenin e bradisizmit, një proces natyror ku toka në zonën e Campi Flegrei ngrihet dhe ulet gradualisht për shkak të aktivitetit nëntokësor. Instituti bëri të ditur se një tërmet me këtë magnitudë nuk ishte regjistruar më parë në këtë fazë të aktivitetit, duke kaluar edhe lëkundjet e mëparshme prej 4.6 ballësh të regjistruara në vitin 2025.

Tërmeti u ndje në shumë lagje të Napolit, përfshirë Vomero, Chiaia, Fuorigrotta, Soccavo dhe Colli Aminei. Në disa zona pati ndërprerje të energjisë elektrike dhe probleme të përkohshme me rrjetin telefonik.

Banorët përshkruan momente frike, duke treguar se lëkundjet ishin të gjata dhe të forta. Shumë prej tyre zgjodhën të mos riktheheshin menjëherë në banesa nga frika e pasgoditjeve të tjera.

Ndërkohë, ekipet teknike po kontrollojnë infrastrukturën e qytetit. Një dëmtim i pjesshëm është raportuar edhe në një shtyllë të tensionit të lartë në zonën e Agnanos, ndërsa furnizimi me energji është rikthyer pjesërisht në shumicën e zonave të prekura.