Muzetë e Beratit, në vëmendjen e vizitorëve vendas dhe të huaj

7 GUSHT 2020

Muzetë në qytetin e Beratit vazhdojnë të jenë në vëmendjen e vizitorëve. Qendra Kombëtare e Muzeumeve, Berat, shprehet se dhe pse një i nxehtë vere vizitorët nuk kanë munguar për të parë pasurinë, që kanë dy muzetë. “I nxehti i kësaj vere “ndryshe” nuk ka mundur të shmangë vizitorët vendas apo të huaj të përzgjedhin të vizitojnë muzeun e ikonografisë “Onufri” dhe muzeun Etnografik këtë të diel”, bën me dije Qendra Kombëtare e Muzuemev Berat. Qendra e Muzeumeve Berat është institucion i specializuar dhe arkivor me status “muze kombëtar”, në varësi të Ministrisë së Kulturës me seli në qytetin e Beratit, e cila administron muzeun ikonografik “Onufri” dhe muzeun Etnografik. Muzeu “Onufri” dhe muzeu Etnografik mbledhin ruajnë dhe promovojnë koleksione me vlerë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të qytetit të Beratit dhe zonës përreth. Berati ka qenë një qendër e rëndësishme e zhvilluar sidomos në shekullin XVII, një vend ku u grumbulluan, u prodhuan dhe u ruajtën vlera të rëndësishme të cilat janë thesare të vërteta të kulturës kombëtare.

Muzeu “Onufri” është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986. Muzeu mban emrin “Onufri”, kushtuar kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin e XVI. Katedralja sipas mbishkrimeve që mbart rezulton të jetë rindërtuar në vitin 1797, mbi themelet e një kishe më të vjetër të periudhës bizantine. Ajo përfaqëson një nga arkitekturat më tipike pas-bizantine në qytetin e Beratit. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX.

Muzeu-Etnografik-Berat

Muzeu Etnografik ndodhet, në zonën e mbrojtur shume pranë qendrës historike (lagjeve Mangalem, Kala). Ai është përshtatur në vitin 1979 në një banesë tradicionale të qytetit, me dy kate me çardak në një krah, ndërtuar në fillim të shek XVIII. Vëmendje kryesore në këtë banese i kushtohet mjediseve të hapura të hajatit që zë tërësisht katin përdhes dhe çardakut në katin e sipërm i cili komunikon me të gjitha dhomat, që shërbenin për të qëndruar, punuar, gatim, ngrënie, fjetje.

Muzeu Onufri Berat

Gazeta Sot