15 Ko0rrik 2026

Partia e Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve për Europën (ALDE Party) ka shprehur mbështetjen e saj për qytetarët shqiptarë që prej 45 ditësh protestojnë në Tiranë, ndërsa ka kritikuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama për financimin me 4 milionë euro të koncertit të reperit amerikan Kanye West.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ALDE deklaron se “Shqipëria nuk është në shitje”, duke iu referuar protestave kundër korrupsionit dhe projektit të debatueshëm të investimit në ishullin e Sazanit.

“Na vjen keq, familja Trump, Shqipëria nuk është në shitje. Mijëra shqiptarë kanë protestuar prej javësh në rrugë kundër korrupsionit dhe projektit të diskutueshëm në ishull.

Ndërkohë, qeveria shqiptare po shpenzon 4 milionë euro para publike për një koncert të Kanye West, pavarësisht deklaratave të tij antisemite dhe pro-naziste. Liberalët qëndrojnë në krah të popullit të Shqipërisë. Ata meritojnë një qeveri që u shërben qytetarëve të saj, jo interesave të fuqishme”, thuhet në reagimin e ALDE.

Në deklaratën e saj, partia panevropiane thekson mbështetjen për protestuesit dhe bën thirrje për një qeverisje që, sipas saj, vendos interesin e qytetarëve mbi interesat e veçanta.

ALDE Party është forca politike panevropiane që bashkon partitë liberale dhe demokratike nga vende të ndryshme të Europës dhe është pjesë e familjes politike liberale në institucionet evropiane.