Leksioni i Zaev që nuk kupton nxënësi Edi Rama

16/07/20

Nga Armand Maho

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, pati një fitore të ngushtë por mjaft domethënëse në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut. Pavarësisht pandemisë, e cila ka mbërthyer keq vendin, sërish njerëzit dolën në zgjedhje për të shprehur verdiktin e tyre.

Zaev shpalli zgjedhjet e parakohshme në tetor të vitit të shkuar, menjëherë pasi Bashkimi Evropian, refuzoi hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut, megjithëse drejt dështimit e kish tërhequr Shqipëria.

Ai (Zaev) kishte bërë gjithçka që i ishte dashur për hir të integrimit. Kish ndërmarrë reforma në drejtësi dhe ekonomi, anëtarësoi vendin në NATO, dënoi zyrtarë të korruptuar, pranoi ndryshimin e emrit.

Vetë liderët evropianë nuk kishin rezerva në drejtim të tij, por një artificë, një procedurë, një premtim i dhënë nuk i lejonte që negociatat të hapeshin pa fqinjin e tij në kufirin perëndimor.

Edi Rama, vinte në 20 tetorin e vitit të kaluar si njeri që arritjet e tij në ekonomi, drejtësi, demokraci e shtetbërje rrotulloheshin drejt hiçit.

Që dinte të bënte vetëm klounin e oborrit, nëpër konferenca ku vendosej fati i vendit. Më shumë se diskursit politik, ai i gëzohej jehonës që bënin në media veshja e yammamotove.

Heshtjen e komunitetit ndërkombëtar për zgjedhjet e 30 qershorit e mori si mbështetje pa kushte që i bëhej atij personalisht. Një dritëshkurtësi politike që do i kushtonte shumë…

Përpos zgjedhjeve ai shihej si njeriu që kishte mbytur Evropën me azilantë, që kish bërë pak ose aspak në luftën kundër korrupsionit, që kish dështuar qëllimisht Reformën në Drejtësi dhe shuajtur çdo medie opozitare në vend.

Pra, kërkonte hapje negociatash duke mbartur mbi kurriz një mal me mëkate në drejtim të qeverisjes.

Kur Zoran Zaev, shpalli zgjedhjet e parakohshme si pasojë e dështimit të negociatave, Rama preferoi ta drejtonte gishtin për të gjetur fajtorin te përplasjet e brendshme të BE-së, një sorollatje fjalësh pa lidhje që ai bënte në adresë të Macron, Holandës apo gjetkë.

A thua ia kishte fajin presidenti i Francës apo Mbreti i Holandës për korrupsionin e administratës së tij, për Gjykatën Kushtetuese që e shkatërroi dhe vazhdon ta tërheqë zvarrë, për PPP dhe gropën që po shkaktojnë ato në ekonomi, e të gjitha të tjerat.

Në këtë tetor vendi ynë nuk ka asnjë shpresë që ta kalojë klasën, dhe kjo jo për faj të shqiptarëve. Sinjalet janë dhënë se Maqedonia e Veriut një shtet pa shtet, do ndahet, për të vazhduar e vetme rrugën e anëtarësimit.

Në rast se Shqipëria u penalizua një vit më parë për shkak të zgjedhjeve vendore 1-partiake që zhvilloi, panorama është zhvendosur tashmë te zgjedhjet e përgjithshme. Sërish me anë të makinacioneve po tenton të bëjë ndërhyrje të njëanshme në Kushtetutë për të prishur rregullat e vendosur më 5 qershor nga BE dhe SHBA.

Me gjithë paralajmërimet që po i vijnë qartë, kryeministri shqiptar vazhdon të flasë me gjuhën e autokratit, duke na kujtuar sovranitetin e vendit dhe “ligjshmërinë” e parlamentit të cunguar që po përdor për të mbajtur pushtetin.

Kur BE i kërkon të luftojë korrupsionin dhe të vendosë shtetin ligjor, ai sorollatet në batutat e arritjeve duke i nxjerrë përpara armatën e ulsinjve, taulantëve apo elisave që i përdor si detashment klounësh që me lavdet e tyre për Skënderbeun nuk zbavitin askënd.

Kur i kërkojnë të zbatojë marrëveshjen, të mos ndërrojë rregullat në mes të lojës, të mos përdorë bandat në zgjedhje, ai nxjerr armatën e gjuzëve dhe murrizëve të cilët i shet si vlera të demokracisë dhe parlamentarizmit.

Nuk e teprojmë po ta themi se kjo që po ndodh në Shqipëri nuk është politikë por banditizëm. Njeriu që premtoi Evropën në 2013, me vendosjen e ligjit dhe drejtësisë, integrimin e shqiptarëve, sot po sakrifikon të ardhmen e vendit për pushtetin e një grushti njerëzish.

Minimumi duhet të kish mësuar nga fati i Gruevskit, që u detyrua të ikte me turp nga vendi i tij. Maqedonia e Veriut, me gjithë problemet që ka i dha një leksion të fortë demokracie jo vetëm ne, por të gjithë Ballkanit. Një leksion që nxënësi Edi Rama nuk arriti ta kuptonte nga profesori Zaev.

Gazeta Mapo