Kryeministri mbron në Le Monde “aktin barbar” me citate fallso shekspiriane dhe gënjeshtra të mëdha shqiptare

Nga Alba Mborja

“’Budallallëku dhe mençuria janë aq të lehta për t’u kapur sa edhe sëmundjet infektive’, ka shkruar Uilliam Shekspiri. ‘Pra, zgjidhini miqtë tuaj me kujdes’, shtoi ai.”

Me këto fjalë “shekspiriane” ka hapur një artikull botuar të djelën në Le Monde Kryeministri Edi Rama, me anë të të cilit është përpjekur të mbrojë atë që pak ditë më parë Le Monde e quajti një “akt barbar”: prishjen e ndërtesës së treatrit kombëtar.

Shekspiri nuk i ka shkruar apo thënë askund këto fjalë. Ato janë një rast i rëndomtë i sajesave në epokën e internetit, kur çdo kush mund të shkruajë diçka që tingëllon e thellë dhe të shënojë poshtë saj një emrin e kujtdo.

“Dikush mund të pyesë veten se çfarë do të mendonte Shekspiri, virtuozi i madh i teatrit për këtë fenomen të mjerueshëm, që ne e quajmë sot dezinformim dhe epideminë e së pavërtetave,” vazhdon artikullin Edi Rama.

Ne mendojmë se Shekspiri do të thoshte, “Oh! sa dukje të bukur ka fallciteti!”

Lehtësisë me të cilën Kryeministri shtiret si njeri i lexuar, si njohës i Shekspirit apo figurave të mëdha të dijes, ja kalon vetëm lehtësia me të cilën ai përpiqet të shesë gënjeshtrat për të vërteta.

Artikulli në Le Mond përmban edhe një citim nga Albert Kamy të nxjerrë nga konteksti, dhe një citim të dyshimtë nga Francis Bacon, por ajo që është e padiskutueshme është se ai është i mbushur me gënjeshtra, keqinformim, shtrembërim apo fshehje të së vërtetës në lidhje me kauzën e Teatrit Kombëtar.

Më poshtë po sjell gënjeshtrat kryesore të artikullit.

— “Në maj të vitit 2020, Këshilli Bashkiak i Tiranës urdhëroi njëzëri shkatërrimin e ndërtesës së ish-Teatrit Kombëtar në Tiranë, pas deklaratave të përsëritura për një kohë të gjatë nga agjencia kombëtare shqiptare, përgjegjëse për inspektimin e ndërtesës, sipas së cilës kjo ndërtesë nuk ishte më e sigurtë dhe më pas duhej të evakuohej dhe prishej…”

Asnjë agjenci shqiptare nuk ka arritur në përfundimin dhe nuk ka bërë asnjëherë thirrje që kjo ndërtesë duhet të prishtet. Një raport i dyshimtë i Institutit të Ndërtimit thjesht ka arritur në përfundimin se kjo ndërtesë ishte e papërshtatshme dhe nuk mund të restaurohej si teatër. Por ky raport as nuk sugjeronte dhe as nuk flet për prishje të ndërtesës, duke lënë të hapur mundësinë që ai të restaurohej dhe përdorej për shumë qëllime të tjera.

— “Ndërsa tashmë kishte filluar puna e prishjes, disa parti politike shpejt organizuan një demonstrim, i cili për fat të keq u përshkallëzua, duke çuar në shtrimin në spital të dy oficerëve të policisë.”

Pohimi është i gënjeshtër, keqinformues dhe fsheh të vërtetën. Ai fsheh faktin se qindra qytetarë të organizuar nën Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit qëndruan për më shumë se dy vjet kundër prishjes duke sprapsur një ligj të posaçëm antikushtetues dhe shmangur, të paktën përkohësisht, skemën korruptive të vjedhjes së tokës së teatrit për llogari të interesave private.

Ndërsa është e vërtetë se parti politike ju bashkangjitën protestës duke u përpjekur të fitonin kapital politik, ato nuk qenë asnjëherë aktorë qendrorë në kauzën e teatrit.

Gënjeshtra se në ndërhyrjen e dhunshme për prishjen e teatrit u plagosën dy policë, është aq e madhe sa Rama nuk ka guxuar ta artikulojë atë asnjëherë në opinionin publik vendas.