13 maj 2018.pmd

Krijimtaria folklorike e fshatrave të Tiranës dhe muzika e kultivuar. –

Nga: Dr. Kreshnik Duqi

– Në këtë çështje pasqyrohet muzika e kultivuar dhe marrëdhëniet që ka pasur me folklorin. Trashëgimia shpirtërore e popullit shqiptar vjen e përfaqësuar nga një pasuri vlerash të cilat, për nga dimensioni e rëndësia, gjatë gjithë historisë së popullit tonë kanë luajtur rol të madh për ruajtjen e forcimin e identitetit kombëtar, duke u bërë dhe faktor për zhvillimin e formësimin e arteve të kultivuara, si: muzika, letërsia, koreografia apo artet e tjera pamore.
Folklori, i njohur si art i natyrës sinkretike, zanafillën e ka të herëshme. Ai lindi, u zhvillua, u rrit dhe u konfigurua bashkë me shqiptarin, duke u trashëguar nga pararendësit e tij. Përmes tij populli ynë ndër shekuj manifestoi talent të spikatur, potencial shprehës shpirtëror, aftësi të mëdha promovuese.
Krahas zhvillimit e formësimit të kulturës artistike popullore, shqiptarët, në kohë e periudha kryesisht të vona, kanë dhënë dhe shumë prova në lëvrimin e arteve të kultivuara, ku mes tyre dallojnë ato në rrafshin e muzikës artistike të kultivuar.
Kërkimet e punimet muzikologjike të studiuesve të ndryshëm, në kohët moderne, përmes dokumentesh e arsyetimesh të pranuara ndërkombëtarisht, kanë nxjerrë në dritë të dhëna të rëndësishme mbi kontributin e vlerat e çmuara në muzikën e kultivuar.

Gjatë periudhës së Rilindjes, e sidomos pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, krahas përpjekjeve e luftës për pavarësi e prosperitet, aspiratës shekullore të popullit tonë, përpjekje serioze u ravijëzuan edhe për zhvillimin arsimor e gjithëkulturor. Në këtë kuadër veçohen edhe përpjekjet për lëvrimin e muzikës së kultivuar. Provat e para të muzikës tonë të kultivuar gjetën një terren të pasur e të larmishëm muzikor, i cili vinte i përfaqësuar nga trashëgimia e pasur muzikore popullore, e cila nuk ishte një kulturë paralele, por ishte një shembull, model e aspiratë për muzikën e kultivuar shqiptare. Kjo e fundit, që në hapat e para të saj, është zhvilluar duke u orientuar nga muzika popullore e traditës së pasur shumëvjeçare. Duke qenë se folklori për shumë kohë ka qenë e vetmja ndërgjegje krijuese artistike e popullit tonë, sidomos në aspektin muzikor, ai ka mundur që të krijojë një autoritet të padiskutueshëm.

Rilindja Kombëtare e vlerësoi muzikën popullore, dhe veçanërisht këngën, si një mjet të rëndësishëm e të domosdoshëm për pasqyrimin e përhapjen e ideve të saj përparimtare. Gjatë kësaj periudhe muzika popullore fillon e del jashtë rrethit të mbyllur krahinor dhe, hap pas hapi, nis të krahasohet me simotrat e saj kombëtare e me muzikën e re të kultivuar shqiptare.
Në vitet në vazhdim krijimtaria muzikore e kultivuar shqiptare shumohet e pasurohet, si në zhanre, ashtu dhe në forma e dita-ditës përsoset strukturalisht e qartësohet si gjuhë. Gjatë kësaj periudhe e para saj foklori ka qenë burimi kryesor e lëndina prej nga është ushqyer, ka thithur nektarin dhe është orientuar muzika e kultivuar shqiptare.
.Një mënyrë për të dëgjuar motive të folklorit të fshatrave të Tiranës është dhe muzika e kultivuar që ka marrë motive nga folklori i këtyre fshatrave. Kjo ka të mirat dhe të këqijat e veta. Në një farë mënyre, duke patur një motiv të folklorit te një vepër muzikore, e çfarëdo lloj gjinie qoftë ajo, bën të mundur që ai motiv, edhe po të rreshtë së kënduari nga populli, nuk humbet si trashëgimi, sepse gjendet në atë vepër. Por nëse një këngë folklorike do ta kultivonim, ajo nuk mund të quhet më folklorike, sepse duhet që jetë e lirë të pësojë ndryshime apo të ruhet ashtu siç është, në varësi të bartësve.
Në shumicën e rasteve, nga kompozitori merret vetëm një bulëz e vogël e këngës popullore, dhe kjo mund të përpunohet, mund të mos shfaqet shabllon, të jetë e pakuptueshme në dëgjim. Kjo gjë nuk mendoj se do ta dëmtojë si këngë folklorike, pasi ajo përdoret nga kompozitorët në mënyra të ndryshme, duke fituar statusin e një vepre me autor.

Kompozitori Aleksandër Peçi në festivalin e 28-të të këngës në RTSH, të vitit 1989, me këngën “Toka e Diellit”, kënduar nga Frederik Ndoci, Manjola Nallbani, Julia Ndoci, mori çmimin e parë. Motivi i këngës është marrë nga një këngë folklorike, që u përket fshatrave të Tiranës, “Po vjen lumi rrema rrema” ose, siç njihet edhe ndryshe, “Po ban pushk o ky Lik Stema”.
Ky kompozitor, si shumë të tjerë, e ka shfytëzuar më së miri folklorin, në veçanti, atë të fshatrave të Tiranës. Vepra të tjera të këtij kompozitori, me motive të folklorit të fshatrave të Tiranës, janë: “Dance Triste”, me motiv të marrë nga “Qan lulja për lulen”; “Valle mbi xham”, me motiv të marrë nga “Vallja Nr.1 e Tiranës”; “Valle Rapsodi”, me motiv të marrë nga “Napoloni”, “Katër valle për violinë dhe piano”, të marrë nga “Ditë e zezë, mre, dit’ e hon’, mre”. Por po ky kompozitor ka dhe vepra të tjera, bazuar në motive të folklorit të fshatrave të Tiranës, siç janë: motivi i ujkut te baleti “Kecat dhe Ujku” dhe filmi i Skënderbeut, momenti i dasmës.

Një tjetër kompozitor që u është referuar motive të folklorit të Tiranës është dhe Pëllumb Vorpsi, që veprën e tij, të titulluar “Fantazi” për orkestër dhe kor (kor pa fjalë, me vokalica), e ka ndërtuar mbi motivet e valles së “Napolonit”. Motivet janë të përpunuara, nuk janë të vendosura shabllon. Ky kompozitor, ka bërë gjithashtu, përpunime këngësh popullore për kor akapela. Po të shikosh krijimtarinë e tij, sheh se ka disa punime që kanë ndikime nga folklori i zonës së Tiranës. Kjo vihet re dhe te muzika për filmin dokumentar “Frang Bardhi”, që ka një karakter popullor, edhe pse nuk ka motive të marra konkretisht te ndonjë këngë e përcaktuar. Por perceptimi i saj është mbi baza popullore. Vetë ky kompozitor shprehet: “Materiali popullor nuk pengon asnjëhere atë modern”1.

Gjithashtu, dhe kompozitori Thoma Gaqi është bazuar mbi motivet e këngëve folklorike të fshatrave të Tiranës. Me motiv të këngës “Po vjen lumi rrema rrema” (“Po ban pushk’ o ky Lik Stema”), ka ndërtuar temën e dytë të “Dublit Rapsodi, Koncert për violinë, violinçel dhe orkestër”, krijuar në vitin 1979. Ndërsa në vitin 1977 “Rapsodia Nr.1 për orkestër”, pjesa e mesit e saj, është ndërtuar me motiv të këngës “Çohuni djem shaloni atin”, ndërsa pjesa e tretë, që është alegro, është ndërtuar mbi motiv të këngës “Lake pupulake”. E gjithë koha është e ndërtuar mbi motive me sekonda të zmadhuara dhe motivet janë shpërndarë në të gjithën, në pozicione të ndryshme, janë hapur në pozicione të ndryshme.
Një tjetër vepër e këtij kompozitori është vallja simfonike “Vallja me darje”, e vitit 1981, që është ndërtuar mbi motiv të “Valles Nr.3, e Tiranës” (vallja e krushqve). Ky kompozitor i ruan motivet ashtu siç janë.