GUVERNATORI SI “ZOT”/ Preket ligji: Krerët e BSH-së arrestohen vetëm me leje të Kushtetueses! Ndalohet kontrolli personal e i banesës pa …

17 Korrik 2026
Guvernatori dhe zëvendësguvernatorët e Bankës së Shqipërisë mund të përfitojnë mbrojtje të posaçme nga arrestimi dhe kontrollet, nëse miratohet projektligji i ri për Bankën e Shqipërisë, i cili ndodhet aktualisht në konsultim publik.
Drafti parashikon që drejtuesit e bankës qendrore nuk mund të arrestohen, të privohen nga liria, apo t’i nënshtrohen kontrollit personal ose të banesës pa autorizimin paraprak të Gjykatës Kushtetuese.
Përjashtim nga ky rregull bëjnë vetëm rastet kur guvernatori ose zëvendësguvernatorët kapen në flagrancë ose gjatë ndjekjes së menjëhershme pas kryerjes së një vepre penale.
Sipas nenit 72 të projektligjit, në rast se organi i akuzës kërkon vendosjen e masës së arrestit ose kontrollin e banesës, prokurori duhet t’i drejtohet menjëherë Gjykatës Kushtetuese për autorizim.
Gjykata Kushtetuese do të ketë një afat prej dy javësh për të shqyrtuar kërkesën. Nëse brenda këtij afati nuk jepet një vendim, kërkesa konsiderohet automatikisht e rrëzuar.
Projektligji rikthen në vëmendje edhe precedentin e vitit 2014, kur ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, u arrestua pas skandalit të vjedhjes së 713 milionë lekëve në Departamentin e Emisionit të Monedhës. Ai u hetua për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Aktualisht, legjislacioni shqiptar parashikon imunitet për një sërë funksionarësh të lartë shtetërorë, përfshirë Presidentin e Republikës, Kryeministrin, ministrat, deputetët dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Nëse drafti miratohet, edhe guvernatori dhe zëvendësguvernatorët e Bankës së Shqipërisë do t’i shtohen kësaj kategorie, duke bërë që çdo masë kufizuese ndaj tyre të kërkojë më parë miratimin e Gjykatës Kushtetuese
