30 Qershor 2022
Koleksioni i pllakave të metalit dhe skulpturave të cilat dekoruan pallatin mbretëror të Mbretërisë së Beninit, çka tani përbën Nigerinë Jugperëndimore, ishin grabitur gjatë periudhës së kolonializmit. Skulpturat prej bronzi të cilat gjenden të shpërndara nëpër 20 muze të Gjermanisë kryesisht janë marrë nga forcat britanike kur pushtuan, dogjën dhe plaçkitën qytetin e Beninit më 1897
Gjermania është pajtuar që t’i kthejë artefaktet e grabitura afrikane, përfshirë edhe mbi një mijë skulptura prej bronzi të Beninit që do të riatdhesohen në Nigeri.Koleksioni i pllakave të metalit dhe skulpturave të cilat dekoruan pallatin mbretëror të Mbretërisë së Beninit, çka tani përbën Nigerinë Jugperëndimore, ishin grabitur gjatë periudhës së kolonializmit. Skulpturat prej bronzi të cilat gjenden të shpërndara nëpër 20 muze të Gjermanisë kryesisht janë marrë nga forcat britanike kur pushtuan, dogjën dhe plaçkitën qytetin e Beninit më 1897.

Skulpturat e paçmuara prej bronzi të Beninit do të rikthehen në Nigeri pasi që ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock dhe komisionarja për kulturë dhe media, Claudia Roth, së bashku me homologët e tyre nigerianë janë marrë vesh në Berlin duke nënshkruar një memorandum mirëkuptimi, i cili hap rrugën për transferimin e të drejtave të pronësisë.

“Kthimi i skulpturave të Beninit mbështet angazhimin tonë për t’u pajtuar me historinë koloniale. Ky duhet të jetë edhe fillimi i një bashkëpunimi të ri dhe të ndryshëm kulturor”, ka thënë Roth në një deklaratë të lëshuar nga Fondacioni Prusian “Cultural Heritage”, i cili është angazhuar për kthimin e tyre.

“Marrëveshja që do të nënshkruhet midis qeverisë nigeriane dhe asaj gjermane është deklarata e përgjithshme për kthimin e rreth 1 mijë e 130 artefakteve të Beninit”, ka thënë Abba Isa Tijani, drejtor i Autoritetit të Muzeve dhe Monumenteve Nigeriane. “Me këtë marrëveshje, pronësia do të transferohet në Nigeri”.

Dy nga skulpturat prej bronzi do t’i dorëzohen Nigerisë menjëherë pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit.

Në shkurt, Franca ia ktheu Nigerisë 26 skulptura prej bronzi të cilat ishin vjedhur më 1892 në ish-mbretërinë Dahomey, në jug të Beninit të sotëm nga forcat kolonizuese franceze.

Për disa dekada, muzetë dhe liderët politikë të Gjermanisë u ishin shmangur bisedimeve për marrëveshje konkrete të transferimeve apo kthimeve. Por kjo ka ndryshuar që nga viti 2021, kur përfaqësuesit e qeverisë gjermane dhe nigeriane, si dhe ata të muzeve, njoftuan vendimin për transferimin e pronësisë.

Artefaktet e zbukuruara mund të gjenden në rreth 20 muzetë gjermanë. Pesë muze me koleksionet më të gjera janë përfshirë në transferimin e planifikuar të pronësisë deri më sot. Këtu përfshihet edhe muzeu “Linden” në Stuttgart

“Kam besim se shumë shpejt do të arrijmë kthimin gjithëpërfshirës, veçanërisht nga muzeu Linden”, ka thënë të martën ministrja e Arteve, Shkencave dhe Edukimit të shtetit Baden-Württemberg, Theresia Bauer.

Pasi të nënshkruhet dokumenti i bashkëpunimit për transferimin e pronësisë, mund të fillojë organizimi për transferimin midis muzeve gjermane dhe nigeriane.

“Do të takohemi me muzetë e ndryshëm dhe do të diskutojmë për aspektet teknike të kthimit fizik të këtyre objekteve, si dhe për aspekte të tjera të bashkëpunimit”, sqaroi Abba Isa Tijani.

Diskutimet janë duke vazhdar, jo vetëm për objektet që do të transferohen në të ardhmen e afërt, por edhe ato për ato që mund të mbeten si huazim në Gjermani. Statuja e vjedhur e perëndeshës do të kthehet në Kamerun, si pjesë e një angazhimi të vazhdueshëm për kthimin e objekteve të grabitura gjatë epokës koloniale prusiane. Fondacioni i Trashëgimisë Kulturore ka bërë të ditur se figura femërore e njohur si “Ngonnso” do të kthehet në veriperëndim të Kamerunit.

Ishte marrë nga Kurt von Pavel, një oficer në Kamerun, i cili ia ka dhuruar statujën Muzeut Etnologjik të Berlinit më 1903.

“Kthejeni Ngonnso”, një iniciativë e shoqërisë civile, ka bërë fushatë për kthimin e statujës prej vitesh, pasi qytetarët thonë se kanë pësuar fatkeqësi që nga vjedhja e statujës. “Ngonnso” ka një rol qendror për Nso, pasi ajo konsiderohet një hyjni nënë”, bëri të ditur Fondacioni në një deklaratë.

Mbinglo Gilles Yumo Nyuydzeëira, një princ i mbretërisë Nso, vlerësoi vendimin për kthimin e statujës.

“Pas më shumë se 120 vjetësh, ne jemi shumë të lumtur sepse është një moment për t’i përkujtuar dhe për t’u afruar me lidhjet tona stërgjyshore, me dashuri dhe bashkësi”, ka thënë Yumo Nyuydzeëira për Reuters. Fondacioni njoftoi gjithashtu se do të kthejë 23 artefakte në Namibi dhe po planifikon një marrëveshje për riatdhesimin e objekteve në Tanzani. Drejtori i Fondacionit, Hermann Parzinger, ka thënë se duhet të riatdhesohen edhe objektet që nuk janë grabitur.

“Rëndësia e veçantë, veçanërisht shpirtërore e një objekti për shoqërinë e origjinës mund të justifikojë gjithashtu një kthim”, ka thënë ai. / DW

Nga Gazeta Koha, Prishtine