25 Nentor 2023

Ngado të hedhësh vështrimin, ka vetëm gështenja. Banorët e fshatit Gurakuq jetojnë me frutat e kësaj peme prej shekujsh.

Dikur, kjo zonë e thellë e Librazhdit prodhonte mollë, patate e deri grurë, ndërsa kohët e fundit banorët mbahen vetëm me gështenjat. Në fshat mblidhen mbi 500 tonë.

Në fshat tregojnë se dikur ky frut rrezikoi zhdukjen. Ishte Mus Ballgjini, i njohur për kanunin e famshëm të Çermenikës, i cili urdhëroi banorët që të ndalonin prerjen e pemëve duke vendosur kështu një moratorium që zgjati dekada.

“Gështenjat nuk kanë qenë këto që janë sot. Janë mbjellë që në kohën e romakëve. Kanë qenë në largësi 15-20 metra, larg nga njëra-tjera.”

Gurakuqi ka mbi 400 hektarë me gështenja. Fruti është cilësor dhe për të kërkesat janë të shumta në të gjithë vendin dhe jashtë kufijve.

“Gurakuqi ka sipërfaqe, edhe gështenja cilësore. Është gështenjë e mrekullueshme. Gështenjat, i patën marrë tregtarët këtu, por firma më e madhe është nga Shmili.”

Banorët tregojnë se edhe shekuj shkuar ky frut tregtohej në vende të ndryshme duke u siguruar fshatarëve të ardhura për jetesën.

“Gështenjat kështu i mbajmë prej disa vitesh, por flitet që këto janë mbjellë para 500 vitesh. Kjo popullsi, burim kryesor të ardhurash nga kanë pasur gështenjat.”

Thonë se natyra është treguar bujare duke u dhënë një pasuri të tillë por ama kërkojnë edhe mbështetje e përkujdesje nga institucionet në mënyrë që ta trashëgojnë edhe në breza.

Gurakuqi i Librazhdit ndodhet në kufi me Bizën e Martaneshit, Elbasanin, por edhe Shëngjergjin e Tiranës. Është një fshat që bën pjesë te vendbanimet e hershme dhe parku I gështenjave mendohet të jetë i dyti pas atij të Tropojës.

abcnews.al