Nga Anton Pllumaj. –

Lëpusha – Kelmënd / Malësi e Madhe dhe Bjeshkët e Nëmuna (Shqypni).

Fshati Lëpushë është një fshat bjeshkor më një gjeografi jashtëzakonisht komplekse dhe interesante. Shtrihet në luginën e Sheut të Lëpushës, dikurë luginë akullnajore. Rreth e për qark shtrihet natyra ekzotike, përmbajtja e geodiversitetit dhe biodiversitetit është ndërlidhur si rrallë ndokund. Nga zona e poshtme e Këlmendit, Lëpushën e ndanë Qafa e Përdelecit me l.mb. 1226 metra. Lëpusha gjendet e rrethuar me kreshtat malore të majave të Trojanit, Vajushës, Brizhdolit, Grebenit, rreth shtrihen edhe Golishi, Suka e Tom Kushit etj. Nëpër këtë terren të thyer shtrihet një numër i madh i objekteve gjeomorfologjike siç janë shpellat të cilat janë në fazën e hulumtimeve intensive. Këto shpella janë objekt i vizitave të ekipeve të ndryshme të speleologëve nga vendet e ndryshme të Europës. Lepushës në këtë aspekt i buzëqesh turizmi speleologjik. Të gjitha majat dhe kreshat malore të zonës së Lëpushës janë të kalueshme dhe të gjitha shtigjet e mundëshme janë të shënuara si në terren poashtu në hartat turistike. Përmesë fshatit Lëpushë rrjedh sheu i Lëpushës. Sheu i Lëpushës krijohet nga shenat: Brizhdol, Pajë dhe Dopku. Sheu i Lëpushës me shenat që e ushqejnë janë rrjedhje të përhershme. Nëpër shtratin e tyre rrjedh uji i kristaltë i cili kullohet nga Bjeshkët e Nëmuna. Sheu i Lëpushës bashkohet te Pika e Bashkimit me sheun apo lumin e Vermoshit dhe së bashku krijojnë lumin Gërnçar. Karakteristikë hidrologjike e pellgut ujëmbledhës të sheut të Lëpushës dhe Vermoshit është se së bashku i takojnë pellgut ujëmbledhës të lumit Danub, gjegjësisht pellgut të detit të Zi. Për ndryshe i tërë territori tjetër i Republikës së Shqiperisë i takon pellgut të detit Adriatik dhe detit Jon. Shenat Lëpusha dhe Vemoshi krijojnë lumin Gërnçar i cili është degë ushqyese e liqenit të Plavës ( liqe akullnajor i tipit akumulativ ). Nga liqeni i Plavës, si degë shkarkuese buron lumi Lim i cili është degë e djathtë e lumit Drina, Drina është degë e djathtë e lumit Sava, ndërsa Sava në Ushqe te Beogradi, si degë e djathtë bashkohet me lumin Danub i cili në vazhdim rrijedh drejt detit të Zi. Sa për kuriozitet ta dini së çdo qytetarë i Lëpushës mund të lundroi falas me mjetet e transportit nëpër lumin Danub duke iu falenderuar asajë që sheu i Lëpushës i takon pellgut të lumit Danub. Fshati Lëpushë përbëhet nga tre lagje: Lëpusha me 26 shtëpia, Gropa me 22 shtëpi dhe Budaça me 24 shtëpi. Lëpusha i takon Famullisë së Vuklit me kishën kushtuar Zojës së Vuklit, deri më tani nuk kishte kishë, ndërsa për momentin kisha është në fazën fillestare të ndërtimit e cila është donacion gjerman.

Migrimet e popullsisë janë duke vazhduar gjithënjë, plagë kjo e pa shërueshme për krejt trevat e Malësisë dhe më gjërë. Aktiviteti i vetëm ekonomik për popullsinë është blegtoria. Së fundi zonës së Kelmëndit i buzëqesh ekonomia e turizmit, falë potencialit të madh të geo dhe biodiversitetit po shkon drejt destinacioneve më të preferuara turistike për turizmin e bjeshkës ( malor ). Gjithënjë e më tepër Kelmëndi dhe Lëpusha janë në shënjestrën e turistëve nga vendet e ndryshme të botës. Lëpushës dhe krejt zonës së Kelmëndit i mungon së pari infrtastruktura rrugore. Nëpër rrugët ekzistuese mund të lëvizin vetëm automjetet e specializuara për terrene të vështira. Simbas projekteve të cilat ende gjenden në fazën fillestare, Kelmëndi do të duhet të përshkohet me një linje të rrugës magjistrale me karakter ndërkombëtarë: Podgoricë – Cem i Trieshit – Grabom – Tamare – Selcë – Qafë e Përdelecit , Lëpushë – Pikë e Bashkimit – Guci – Kosovë. Më këtë rrugë Këlmendit do ti hapen mundësitë e shumëta për zhvillimi ekonomik e sidomos në fushën e ekonomisë së turizmit ekologjik. Të shpresojmë që kjo të arrihet sa më shpejt dhe së paku plaga e mërgimit të mbyllet sa më parë.