Fëmija 10 vjeç u përplas për vdekje, hidhen dyshime: Ambulanca me 100 km/h transportonte njerëz në kufi pa radhë kundrejt pagesës

16 gusht  2020

Një ambulancë përplasi për vdekje një fëmijë 10 vjecar ditën e djeshme në pikën kufitare të Kakavijës.

Fëmija ka qenë në hije së bashku me të ëmën, në momentin kur është marrë përpara nga autoambulanca, në afërsi të fshatit Bularat.

Dyshime të reja janë ngritur në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, pasi Harta Digjitale e Aksidenteve shkruan se ambulanca që po ecte me 100km/h po transportonte persona për në pikën kufitare kundrejt pagesës.

Njoftohet se kanë nisur hetimet nga ana e autoriteteve për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë.

Postimi i plotë i HAD (Harta digitale e Aksidenteve rrugor):

 “Ambulanca që përplasi për vdekje 10-vjeçarin në Kakavijë dyshohet se ka qenë duke bërë rrugë ilegale, duke transportuar njerëz jashtë radhe kundrejt pagesës për në pikën kufitare…! Këtë gjë e kanë pohuar disa dëshmitarë okularë në Kakavijë të cilët forcojnë dyshimet se përse i duhej të ecte ambulanca bosh me mbi 100 km/h në një zonë me mijëra njerëz nëpër rrugë dhe aq më tepër me fenelina të ndezura por pa sinjalin akustik për të mos ngjallur dyshime sepse e bënte shpeshherë në ditë atë rrugë. Autoritet kanë filluar menjëherë hetimet për zbardhjen e këtyre ngjarjeve dhe nëse këto do të vërtetohen, atëherë kjo do të ishte një tragjedi e përmasave përtej njerëzores….!”

Gazeta Dita