19 Janar 2026

Biznesmeni Ermal Beqiri është prej disa javësh në kërkim, por raporti i tij i dyshuar korruptiv financiar me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit vijon në mënyrë të pandalur. Në 14 janar, AKSHI ka kryer katër pagesa, me vlerë totale mbi 150 mijë euro për kompaninë “Soft & Solution”, e konsideruar si një nga shoqëritë kryesore në skandalin dhjetra milionë euro të tenderave për pajisjet elektronike.

Në 16 dhjetor të vitit 2025, Gjykata e Posaçme vendosi masën e sigurimit “arrest në shtëpi” për drejtuesen e AKSHI-it, Mirlinda Karçanaj dhe zëvendësen e saj, Hava Delibashi, ndërkohë që nuk janë zbatuar ende masat “arrest në burg” për biznesmenët Ermal Beqiri e Ergys Agasi.

Prokuroria e Posaçme i akuzon këta persona për krijimin e një grupi të strukturuar kriminal, të cilët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë përfituar në mënyrë abuzive nga tenderat publikë të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Aktet hetimore të bëra publike tregojnë se si biznesmenët Beqiri dhe Agasi ndërhynin tek drejtuesit e AKSHI-t për të fituar procedurat e prokurimit publik, si edhe për të shumëfishuar në mënyrë abuzive fondet limite.

Dyshohet se vlera e tenderave të paracaktuar nga ky grup i dyshuar kriminal arrin në të paktën 60 milionë euro. Veprimtaria e dyshimtë e AKSHI-t është denoncuar në mënyrë periodike nga Partia Demokratike në opozitë. Ndërsa ish-zv.kryeministri socialist, Arben Ahmetaj, e ka konsideruar Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit si “kopshti privat financiar të kryeministrit Edi Rama”.

Pas lëshimit të masave të arrestit, Prokuroria e Posaçme ende nuk ka marrë masa për bllokimin e aktivitetit të kompanive të dyshuara si të përfshira në skemën korruptive. Në qendër të këtyre kompanive qëndron “Soft & Solution” e Ermal Beqirit, e cila, siç rezulton nga dokumentat qeveritarë, vijojë të përfitojë shuma të konsiderueshme nga fondet publike.