“Drejtësia koreanoveriore e “gruas” së Bilalit”. Meta i përgjigjet Ramës: – Kush prek votën do t’i pritet dora bashkë me thonjtë

2 MARS 2021

Ilir Meta ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama se “presidenti është i shqetësuar nga reforma në drejtësi.

Zëdhënësi i Presidentit Tedi Blushi shkruan se Ilir Meta i qëndron besnikërisht Reformës në Drejtësi të bërë me 140 vota në Kuvend, falë këmbënguljes së tij dhe se “Drejtësinë e re ‘gruaja’ e Bilalit e kapi me ligje antikushtetuese, që vazhdon t’i miratojë dhe sot”.

“Drejtësinë koreanoveriore të “gruas” së Bilalit, shqiptarët e kanë provuar për 50 vite, ndaj çdo certifikatë të “zonjës Bilali”, do ta hedhin në koshin e plehrave.

Ilir Meta i qëndron besnikërisht Reformës në Drejtësi të bërë me 140 vota në Kuvend, falë këmbënguljes së Tij kur ishte Kryetar i Kuvendit dhe këtë e dinë mirë të gjithë shqiptarët.

Drejtësinë e re, që se kapi dot me Kushtetutë, “gruaja” e Bilalit e kapi me ligje antikushtetuese, që vazhdon t’i miratojë dhe sot.

Të mos ketë merak se më 25 prill do ta marrë vlerësimin e merituar nga mbarë populli i Shqipërisë.

Drejtësia e pavarur do vijë vetëm nga vota e lirë dhe e shenjtë. Kush prek votën e lirë do t’i pritet dora bashkë me thonjtë, që kanë kapur për fyti shtetin dhe drejtësinë.
“Gruaja” e Bilalit më kot harxhon para me lobistë për deklarata, certifikata dhe sondazhe të rreme.

Bën mirë, që lekët e vjedhura t’i kursejë për të paguar avokatët mbrojtës, kur të japë llogari para drejtësisë.

Mos e provoko popullin e 2 Marsit se është shumëfishuar në një vit falë zullumeve të shtuara edhe në kohë pandemie!”, shkruan zëdhënësi i presidentit.

Çfarë tha Rama pak më herët

Kryeministri deklaroi pak më parë se reforma ka filluar të japë efekte domethënëse, saqë janë tensionuar presidenti dhe ish-kryeministri Sali Berisha.

“Ju nuk do të bëni gabimin që bën Ilir Meta dhe ata që kanë lidhur Lulin me zinxhir sepse reforma në drejtësi dhe jo çdo ligj po çdo nen i çdo ligji të të gjithë paketës të reformës nuk është vullnet i shumicës qeverisëse, por vullnet  i plotë  i garantëve të reformës, miqtë amerikanë.

S’ka nen të reformës që kalon pa u diskutuar dhe miratuar bashkarisht. Reforma në drejtësi është aq e besueshme sa niveli i shkallimit të Ilir Metës, shikoni Ilir Metën dhe aty matet besueshmëria e reformës, kuptoni se ka filluar të japë disa shenja domethënëse që nuk janë shumë dhe fare mjaft por që janë mjaftueshmërisht të qarta për të tensionuar Ilir metën dhe Sali Berishën. Shumë e qartë kjo”, tha Rama.

Gazeta SHQIP