Divjaka kundër shkrirjes së bashkisë, kryebashkiaku socialist del në protestë: Na erdhi si bombë

Divjake
1 Gusht 206
Banorë të Divjakës kanë dalë në protestë kundër propozimit për shkrirjen e bashkisë së tyre dhe bashkimin me Bashkinë Lushnjë në kuadër të Reformës Administrativo-Territoriale.
Në protestë ka marrë pjesë edhe kryebashkiaku i Divjakës Josif Gorrea, i cili ka deklaruar se vendimi i propozuar nga mazhoranca ka shkaktuar zhgënjim të madh te qytetarët.
Ai u shpreh se lajmi për bashkimin e mundshëm i ka ardhur si “një bombë”, duke thënë se ndihet i tradhtuar nga ky propozim.
Gorrea tha se ka disa arsye pse bashkia që ai drejton nuk duhet të shkrihet, duke theksuar se ajo ka 56 mijë banorë dhe se, sipas censusit të dy viteve më parë, në Divjakë aktualisht banojnë rreth 25 mijë persona.
Po ashtu, ai hodhi akuza, duke deklaruar se “kjo nuk mund të quhet reformë”.
“Ju falënderoj që jeni pjesë e këtij tubimi, i cili dje të gjithëve na ra si bombë. Mendova se fjalën këtu do ta mbanin vetë ata, por të gjithë kanë të drejtën e vet të flasin siç e ndiejnë. Edhe unë, si qytetar, ashtu si ju, jam i çuditur, edhe pse duhej të isha disi në dijeni për shkak të pozicionit politik që kam.
Dje më ra si bombë lajmi, kur pashë që Bashkia Divjakë ishte një nga 15 bashkitë që do të shkriheshin. Unë mendoj se këtu jemi për një qëllim dhe qëllimi mbrojmë bashkinë tonë, e cila është e popullit më punëtor të republikës. Të them të vërtetën, ndihem i tradhtuar, sepse pa asnjë paralajmërim na vjen kjo bom.
Në të vërtetë, kjo nismë e qeverisë ka kohë që përflitet. Komisioni i Reformës Territoriale ka shqyrtuar mundësitë se si ta vijojë këtë reformë, por, për fat të keq, ajo që ndodhi dje nuk mund të quhet reformë. Pse? Sepse një nga kriteret ishte numri i popullsisë dhe unë kam fjetur i qetë, pasi bashkia jonë ka 56 mijë banorë dhe, për nga renditja numerike, ne jemi të 26-tët. Pra, duhej të shkriheshin 27 bashki që të na vinte radha neve për nga numri i popullsisë.
Edhe sipas censusit, bashkia ka një numër të lartë banorësh. Janë 25 mijë banorë, një shifër që është pranuar nga qeveria shqiptare dhe që është shumë e lartë”, tha ndër të tjera Gorrea.
Protestuesit kundërshtojnë humbjen e statusit të bashkisë më vete, duke argumentuar se Divjaka ka specifika të veçanta ekonomike dhe turistike dhe se një bashkim me Lushnjën do të largonte vendimmarrjen nga qytetarët.Kjo protestë i bashkohet kundërshtimeve të tjera në vend ndaj hartës së re territoriale, ku disa bashki kanë reaguar kundër propozimeve për shkrirje ose bashkim.
