“Censura”, gazetarët në protestë: Të refuzojmë regjimin diktatorial

18 dhjetor 2019

Përfaqësues të mediave dhe aktivistë të Shoqërisë Civile janë mbledhur para Kuvendit për të protestuar kundër “paketës Anti-shpifje”, e parashikuar në rendin e ditës për t’u miratuar sot.

Protesta nisi në orën 09:30, para Parlamentit, pak para se deputetët të hyjne në salle në nisje të seancës plenare, që do të jetë e fundit e këtij viti.

Paketa antishpfje parashikon qe Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) të marrë kompetenca deri në mbylljen e portaleve, nëse gjykon se ka publikuar lajme të rreme apo shpifje.

Kundër kësaj janë gazetaret dhe njerezit e medias, e jo vetëm, sipas të cilëve AMA nuk mund të marrë kompetencë gjykate.

Shqetësim për këtë paketë ka ngritur edhe opozita, OSBE dhe Komisioneria e KE për të Drejtat e Njeriut.

Gazetari Enton Abilekaj i bëri thirrje të gjithë gazetarëve t’I bashkohen protestës si shenjë refuzimi ndaj regjimit diktatorial që po rrezikon vendin.

“Nuk kundërshtojmë një pikë të ligjit por të dy ligjet në tërësi sepse mohojnë të fjalën e lirë. Krijojnë një administratë që merr kompetencat e gjykatës dhe duhet të kthehen mbrapsht. Nuk diskutojmë teknikalitete. Kur vjen diktatura nuk diskutojmë cila pjesë pranohet dhe cila jo, refuzohet i gjithë regjimi diktatorial. Kundërshtojmë përpjekjen e fundit për të marrë në dorë Edi Rama çdo pushtet në Shqipëri”, tha ai.

Kërkesat e gazetarëve dhe organizatave

Organizatat e shoqërisë civile shqiptare të të drejtave të njeriut dhe organizatat përfaqësuese të gazetarëve paraqesin kërkesat, që sipas tyre janë tërësisht të përputhura me qëndrimet e Komisionit Europian dhe Komisioneres Mijatovic si më poshtë:

  1. Nuk mund të ketë regjim rregullimi administrativ për median online, por regjime të tilla janë të pranueshme por jo të detyrueshme vetëm për median audiovizuale;
  2. Një institucion administrativ si AMA nuk mund të zëvendësojë gjykatat në shqyrtimin e ankesave ndaj përmbajtjes së një publikimi;

Për sa më sipër, organizatat përsërisin kërkesën ndaj qeverisë shqiptare të tërheqë projektligjet nga procedura parlamentare.

Gazetarët i kërkojmë qeverisë të pranojë vërejtjet e Komisionit Europian si dhe kërkesën e Komisioneres Mijatovic që specifikisht thotë: “interneti të mbetet i hapur dhe forum publik dhe që të mbizotërojë vetërregullimi në media, përfshirë median online.”

Organizatat theksojnë se në rast se shumica parlamentare do të votojë në kundërshtim të kërkesave të Komisionit Europian këto projektligje, beteja do të vijojë deri në rrëzimin e plotë të çdo tendence anti-demokratike dhe anti-europiane.

Gazeta Dita