Besart Xhaferri: Të rinjtë protestues janë shoqëruar dhunshëm nga forcat e rendit

22 Dhjetor 2025
Nga: Gazeta Sot
Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri shprehet përmes një reagimi se janë shoqëruar në polici të rinjtë që kanë marrë pjesë në protestë.
Xhaferri tha se protestuesit janë shoqëruar në mënyrë të dhunshme nga forcat e rendit.
Postimi i plotë
Të rinjtë që ishin në protestë para Kryeministrisë po shoqërohen dhunshëm nga strukturat e rendit, të njëjtat struktura që marrin peng biznesmenë për llogari të tenderave të Edi Ramës.
3 mbështetës tanë janë shoqëruar deri tani në komisariat dhe të tjerë janë shpallur në kërkim për fajin e vetëm se kanë dalë në shesh për të protestuar kundër Babait Gregut dhe Zahos, që i zhvat me çdo firmë që hedh mbi tenderat qeveritarë.
Të rinjtë ishin në atë shesh sepse me taksat e tyre Belinda Balluku ka blerë 300 apartamente dhe dy jahte, si dhe Edi Rama ka ndërtuar kullë me imazhin, në një kohë që një çifti të ri i duhen 60 vite për të siguruar strehën e parë.
Ajo çfarë kanë ekspozuar dosjet e korrupsionit mund të krahasohet vetëm me vjedhjet e Bashar al-Asadit, i cili bashkë me Edi Ramën janë dy arkitektët e eksodit të popujve të tyre në dekadën e fundit.
Qytetarët sot dëshmuan se fundi i Ramës është i destinuar të jetë ai i një diktatori që ka zhvatur dhe ka vrarë shpresat e popullit të tij.
