Arbër Veliaj

27 Gusht 2026

Drejtësia austriake ka vendosur bllokimin e llogarive bankare të Arbër Veliajt, njeriut të “punëve të pista” të Erionit, ndërsa në Shqipëri, pavarësisht përfshirjes së emrit të tij në hetimet e SPAK, nuk është bërë e ditur ndonjë masë personale ndaj tij.

Arbër Veliaj zotëron 100% të kompanisë “Gogel GmbH”, e cila zotëron në masën 100% edhe “Reg Investitions GmbH”, ndërsa të dyja kompanitë kanë të njëjtën adresë në Vjenë. Sipas të dhënave të publikuara, aktiviteti i këtyre kompanive ka qarkulluar miliona euro.

Dhe pikërisht këtu qëndron pyetja që kërkon përgjigje, nëse drejtësia austriake ka ndërhyrë mbi llogaritë e Arbër Veliajt, pse në Shqipëri nuk është marrë deri tani një masë e drejtpërdrejtë ndaj tij? SPAK e ka marrë Veliajn në pyetje dhe emri i tij është përmendur në kuadër të hetimit financiar, ndërsa aktiviteti i kompanisë së tij është kontrolluar nga BKH. Përballë këtij kontrasti, heshtja e SPAK krijon pikëpyetje publike: a po hetohet Arbër Veliaj si person përgjegjës, apo vetëm bizneset dhe transaksionet e lidhura me të? Dhe nëse ka dyshime të mjaftueshme për ndërhyrje nga autoritetet austriake, çfarë e pengon drejtësinë shqiptare të marrë masa?