Artan Hoxha zbulon lidhjet e forta Iran-Shqipëri në trafikun e heroinës

2 Prill 2026
Gazetari Artan Hoxha, ka deklaruar mbrëmjen e sotme se grupet iraniane të trafikut të drogës kanë krijuar ndër vite lidhje të forta me disa grupe kriminale shqiptare, përfshirë ato të Shijakut dhe Tiranës.
I ftuar në një emision televiziv, Hoxha ka deklaruar se, njësia Kuds e Gardës Revolucionare Iraniane ka operuar në Shqipëri duke përdorur lidhjet kulturore dhe ato kriminale për të krijuar terren në favor të saj.
“Në Shqipëri kanë ndodhur akte konkrete, të cilat shërbimet e spiunazhit, dhe shërbimet e Gardës Revolucionare janë përpjekur që të krijojnë në Shqipëri situata në favor të tyre.”, tha ai.
Një nga anëtarët e njësisë, i kapur në Shqipëri që në 2011, ishte një figurë kyçe që lidhte trafikun e heroinës me aktivitetet kriminale shqiptare dhe interesat e shërbimeve sekrete iraniane.
“Kishte në krye të saj një pjesëtar të njësisë Kuds të Gardës Revolucionare në Iran dhe në Shqipëri kishte operuar në një mënyrë shumë të çuditshme, duke përdorur edhe këto lidhjet kulturore, por edhe lidhjet e trafikut të heroinës. Dhe njëri nga pjesëtarët e kësaj njësie ishte kapur në Shqipëri që në 2011, dhe kishte lidhje shumë të forta me grupet e Shijakut, me grupet e Tiranës.”, tha Hoxha, duke shtuar se personi në fjalë, duke qenë person shumë i rëndësishëm në lidhjet e trafikut, kishte krijuar terren me njësinë Kuds.
“Irani dihet që është një nga degët më të rëndësishme të trafikut të heroinës. Dhe ata duke e përdorur këtë degëzim, u futën në Shqipëri dhe kishin shumë lidhje të forta. Ky person, ne kur e ripamë, sepse ai u largua, kur u zbulua celula e Kudsit, ishte një nga personazhet ë rëndësishme që miksonte botën e krimit shqiptar, me interesat e shërbimit sekret iranian.”, tha Hoxha.
Ai shtoi se paralajmërimi i djeshëm i Ambasadës Amerikane për sulme në Shqipëri nga Irani, “nuk është thjesht një paralajmërim rutinë”.
Gazetari shtoi se Shqipëria ka vënë në alarm strukturat e antiterrorit, duke përfshirë Policinë dhe Shërbimin Informativ, dhe ka analizuar listat e personave që mund të kenë lidhje me interesat iraniane.
Nga: Gazeta Sot
