10 Janar 2026
Krejt rastësisht arkeologët në jug të Anglisë kanë rënë në gjurmë të trumbetës së luftës dy mijë vjet të vjetër, “paraardhëse e largët i instrumenteve moderne frymore prej metali”. Sipas ekspertëve, ky instrument është jashtëzakonisht i fuqishëm kur luhet me zë të plotë, por mund të luhet edhe shumë butë, në kombinim me instrumente delikate si flauti, harpa, instrumente harkore apo zëri njerëzor

Në Angli është zbuluar një trumbetë lufte nga epoka e hekurit, në gjendje gati të përkryer rreth dy mijë vjet e vjetër. Arkeologët gjetën të ashtuquajturin karniks gjatë kërkimeve rutinë në një tokë private në Norfolk, në lindje të Anglisë, ku ishte planifikuar ndërtimi i objekteve të banimit, shkruan CNN.

Zbulim i papritur në kantier ndërtimi

Ekipi i ekspertëve të kompanisë “Pre-Construct Archaeology” hasi në këtë zbulim të jashtëzakonshëm verën e kaluar, gjatë gërmimeve në Norfolkun perëndimor, që ishin pjesë e procedurës standarde përpara fillimit të punimeve ndërtimore. Në vendndodhje, pozicioni i saktë i së cilës nuk është bërë publik, u gjetën edhe pjesë të një karniksi tjetër. Bëhet fjalë për instrumente bronzi me forma kokash kafshësh, të cilat fiset kelte në mbarë Evropën i përdornin për të nxitur luftëtarët në betejë.

Përveç trumbetave, ndër objektet e rralla të gjetura janë edhe një kokë derri prej llamarine bronzi, që dikur ishte pjesë e një flamuri ushtarak, si dhe pesë umba – fryrje metalike nga mburojat – si edhe një objekt hekuri me origjinë të panjohur.

“Para se të fillonin gërmimet, drejtuesi ynë i projektit kishte ndjesinë se ky lokalitet do të ishte i veçantë”, ka deklaruar Mark Hinman, drejtor i përgjithshëm i kompanisë “Pre-Construct Archaeology”. “Ata zbuluan diçka krejtësisht të papritur, u ndalën për të marrë frymë dhe më pas vepruan sipas praktikave më të mira arkeologjike për të nxjerrë këto objekte të rralla dhe jashtëzakonisht të brishta”.

Tingulli i instrumentit të lashtë

Fraser Hunter, kurator për epokën e hekurit dhe atë romake në Muzeun Kombëtar të Skocisë dhe autoritet kryesor për karnikset, mendon se thesari është varrosur rreth dy mijë vjet më parë. Ai e lidh atë me fisin kelt Iken, i cili jetonte në atë zonë dhe që, nën udhëheqjen e mbretëreshës Boudica, u rebelua kundër sundimit romak.

Hunter ka theksuar se ky zbulim do të “kontribuojë jashtëzakonisht në të kuptuarit e botës së epokës së hekurit”. “Kam studiuar karnikse në mbarë Evropën dhe hulumtimi i plotë dhe konservimi i këtyre mbetjeve jashtëzakonisht të brishta do të ndryshojë këndvështrimin tonë mbi tingullin dhe muzikën në epokën e hekurit”, ka thënë ai.

John Kenny, arkeolog i muzikës dhe profesor tromboni në Guildhall School of Music and Drama në Londër, ka shpjeguar për CNN-in se për çfarë instrumenti bëhet fjalë.

“Karniksi është një paraardhës i largët i instrumenteve moderne frymore prej metali, por është mjaftueshëm i ndryshëm për të dhënë një ndjesi njëkohësisht të njohur dhe të huaj”, ka thënë Kenny. “Është jashtëzakonisht i fuqishëm kur luhet me zë të plotë, por mund të luhet edhe shumë butë, në kombinim me instrumente delikate si flauti, harpa, instrumente harkore apo zëri njerëzor”.

Punë e mundimshme me artefakte të brishta

Duke pasur parasysh brishtësinë e jashtëzakonshme të objekteve, arkeologët i nxorën ato me shumë kujdes së bashku me blloqet e dheut ku ndodheshin. Skanimi fillestar dëshmoi renditjen e saktë të artefakteve, gjë që u mundësoi konservatorëve të Shërbimit Muzeor të Norfolkut t’i hiqnin me kujdes për analiza paraprake. Artefaktet duhet të trajtohen para studimeve më të detajuara.

Hulumtimet dhe konservimi i mëtejshëm, të koordinuara nga agjencia “Historic England”, po kryhen nga Pre-Construct Archaeology, Shërbimi Muzeor i Norfolkut dhe Muzeu Kombëtar i Skocisë.

Tim Pestell, kurator i lartë për arkeologjinë në Shërbimin Muzeor të Norfolkut, përfundoi se “thesari i karnikseve nga Norfolku do t’u japë arkeologëve mundësinë të studiojnë një sërë objektesh jashtëzakonisht të rralla dhe në fund të tregojnë historinë se si u varrosën ato dy mijë vjet më parë.”