20 Janar 2026

Ngjarja e ndodhur dje në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ku pati ndërprerje të energjisë elektrike është dëshmi rrëzimit të propagandës për “shëndetësinë moderne’. Në foltoren e organizuar sot në njësinë 4 në Tiranë Alimehmeti ftoi qytetarët të bashkohen masivisht në protestën e 24 janarit, për t’i dhënë fund qeverisjes që nuk garanton dot jetën e një të sëmuri

Fjala e Ilir Alimehmetit

Nuk kam se si të mos përmend situatën e ndodhur dje këtu te lagja juaj, te spitalit Nënë Tereza, për mungesë dritash në të gjithë Tiranën themi të drejtën… po spitali ka rëndësi të veçantë.

Në një situatë që nuk mund të mendohet dot, 2026-ën, pa asnjë katastrofë natyrore, pa asnjë tërmet, zjarr, përmbytje, stuhia, spitali nuk pati për kohë të gjatë drita.

Kjo është e papranueshme. Pamë video njerëz të cilët ishin të panikosur. Pamë personel shëndetësor që mundohej të jepte ndihmën. Po ta themi të drejtën nuk është as personeli shëndetësor, as familjarët e pacientëve ata që duhet të merren me këtë punë. Ky është komplet sistemi shëndetësor. Kjo është përgjegjësi direkte e drejtorisë së QSUT-së, përgjegjësi direkte e OSHEE-së patjetër dhe përgjegjësi direkte e Ministrisë së Shëndetësisë.

Nuk ka se si në 2026-ën një spitali kur i ikin dritat, se ndodh defekti, të mos hyjnë në punë automatikisht gjeneratorët brenda sekondës.

E këto gjeneratorë nuk hynin në punë dhe zbuluam që prej tetorit aty nuk paska më një kontratë mirëmbajtje të gjeneratorëve. Pra në fund fare të ditës, gjithçka që ndodhi dje, duke shpresuar sinqerisht të mos ketë pas asnjë pasojë në jetë dhe shëndet njerëzve, kjo nuk ndodhi se patëm ne një sistem shëndetësor që mori përsipër jetën e tyre.

Po me ndihmë të Zotit fatmirësisht, o Zoti ka pas, nuk ka pas efekt negativ kjo heqje dritash.

Po a mund ta lejojmë neve këtë më?

A mund të pranojmë dot, që në 2026-ën ne të vazhdojmë të themi: Do Zoti ka drita spitali kur të jemi aty.

Po nuk du të prek dramën e as kërkujt, po le ta imagjinojmë sikur të kishim ne një njeriun tonë në ato momente aty. Gjithkush nga ne mund të ketë pas nevojë, vjen një situatë e tillë dhe gjendesh komplet i pambështetur.

U tha spitali modern, spitalet që është mbi nivelet e europiane me radhë e me radhë. Këtu bëhet fjalë për gjëra bazë, këtu bëhet fjalë për drita, për korent. A garanton dot jetën e një të sëmuri aty brenda. Këto janë përgjegjësit direkte që i ka Ministria e Shëndetësisë, që i ka drejtoria e spitalit QSUT-së, janë përgjegjësi direkte që shkojnë përtej abuzimeve me fondet dhe me koncesionet dhe me tenderat.

Këtu thjesht s’kishte fare, nuk e kishin vënë fare ujin në zjarr. Për këtë gjë neve duhet t’i themi boll. Jo vetëm për këtë, po të gjitha aferat e qeverisë, po kjo ndodhi 24 orët e kaluara. Për këtë ne duhet të jemi në shesh datë 24 Janar, për këtë duhet të ngrejmë zërin datë 24 Janar në mënyrë të qëndrueshme, të vazhdueshme dhe të fortë dhe duhet t’i themi boll më kësaj qeverie.