Alarmi i SHBA-së për sulme të mundshme të Iranit në Shqipëri/ Fatmir Mediu: Presidenti duhet të thërrasë urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare

1 Prill 2026
Mesazhi i plotë i Mediut
Ambasada e SHBA-së ka publikuar sot, në mbrëmje vonë, një alarm sigurie, ku u bën thirrje shtetasve amerikanë të kenë kujdes, pasi grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të rezistencës iraniane në Shqipëri.
Prej vitesh, Shqipëria ka shkëputur marrëdhëniet diplomatike me Iranin, është partnere me SHBA-në dhe ka sot prezencën më të madhe të organizuar të rezistencës iraniane.
Me propozimin e Ramës, Garda iraniane u shpall organizatë terroriste. Po ashtu, sulmet kibernetike janë rritur, duke goditur institucione të rëndësishme. Çfarë presim të ndodhë?
Përballë kësaj situate, Presidenti i Republikës duhet të thërrasë urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare, i cili është zhvlerësuar dhe është inekzistent prej kohësh.
Bëni punën tuaj që ju ka caktuar Kushtetuta dhe ligji dhe për të cilën paguheni.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare të bëjë analizën e situatës, në bashkëpunim me partnerët. Shërbimet inteligjente të marrin masat që duhen urgjentisht për t’u organizuar dhe për t’u mbrojtur nga çdo sulm, i cili mund të mos jetë thjesht me raketa dhe dronë, siç mendojnë dhe flasin shumë, por edhe me veprime subversive të organizuara nga Irani, sulme në infrastrukturë kritike dhe interesa jetike të qytetarëve etj.
Shteti nuk është pushteti i Kryeministrit dhe i Qeverisë, por janë të gjitha institucionet që kanë primar interesin e ruajtjes së sigurisë kombëtare dhe sigurisë së qytetarëve, të cilës duhet t’i shërbejë politika dhe institucionet.
Boll me deklarime sa naive dhe idioteske se “ne nuk kemi probleme sepse na mbron NATO”. Anëtarësimi në NATO nuk do të thotë të heqësh dorë nga mbrojtja e sigurisë kombëtare dhe të mos vlerësosh kërcënimet.
