AfD nxjerr në skenë filmin kundër të huajve, publiku duartroket “vrasësin” e emigrantëve

31 Korrik 2026
Filmi “Citizen Vigilante” i regjisorit gjerman Uwe Boll ka shkaktuar një valë polemikash në Gjermani për shkak të skenave të dhunshme dhe mesazheve të tij provokuese. Regjisori, i cilësuar shpesh si “më i keqi në botë”, ka deklaruar publikisht mbështetjen e tij për partinë e djathtë ekstreme AfD, duke thënë: “Unë votoj AfD-në”.
Filmi tregon historinë e një ish-ushtaraku që merr drejtësinë në duart e veta dhe shndërrohet në një hakmarrës të armatosur. Në disa skena, protagonisti vret emigrantë dhe kryen akte brutale dhune në emër të hakmarrjes.
Një prej skenave më të kontestuara paraqet personazhin kryesor duke vrarë një familje emigrantësh, pasi djali i saj dyshohet se kishte marrë pjesë në përdhunimin e një vajze të mitur. Skenat janë cilësuar nga kritikët si nxitëse të urrejtjes dhe dhunës.
Pas publikimit në Gjermani, filmi u ndalua për personat nën 18 vjeç, ndërsa revista gjermane Stern ngriti pyetjen nëse duhej të ndalohej plotësisht. Ndërkohë, sipërmarrësi Elon Musk e publikoi filmin falas në platformën X, duke e paraqitur këtë si një reagim ndaj asaj që e cilësoi si censurë.
Mbështetje për filmin ka dhënë edhe deputeti i AfD-së, Ronald Gläser, i cili kritikoi kufizimin e shfaqjes për të miturit dhe e quajti atë “censurë morale nga elitat politikisht korrekte”.
Por polemika u thellua pas një shfaqjeje të organizuar nga vetë deputeti në zyrën e tij në periferi të Berlinit. Sipas gazetës zvicerane Neue Zürcher Zeitung, disa skena ku protagonisti vriste emigrantë u pritën me duartrokitje nga publiku, ndërsa gjatë një prej skenave më të dhunshme u dëgjua një thirrje: “Shumë bukur!”.
Një nga të pranishmit madje bëri shaka duke thënë se “edhe atij do t’i pëlqente një automatik”, duke ngritur shqetësime për glorifikimin e dhunës dhe idenë e “drejtësisë së marrë në duart e veta”.
Vetë Uwe Boll ka mbrojtur filmin e tij, duke thënë se dëshiron “t’i trondisë gjermanët” për çështjen e emigracionit, ndërsa ka bërë të ditur se po përgatit edhe vazhdimin e filmit, “Citizen Vigilante 2”.
tvklan.al
