Dhuna policore gjatë protestave, mjekët shqiptarë në Gjermani peticion Bundestagut: – Shqipëria ka nevojë për një Evropë që sheh, dëgjon dhe kërkon përgjegjësi

18 Tetor 2026
Një grup mjekësh dhe profesionistësh shëndetësorë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Gjermani i janë drejtuar me një peticion Bundestagut gjerman dhe deputetëve gjermanë në Parlamentin Evropian, duke shprehur shqetësimin për situatën në Shqipëri dhe raportimet për përdorim të forcës nga policia gjatë protestave.
Në peticion, ata kërkojnë një qëndrim publik në mbrojtje të së drejtës për protestë paqësore, si dhe një hetim të pavarur dhe transparent për pretendimet mbi përdorimin joproporcional të forcës nga efektivët e policisë. Sipas tyre, prej më shumë se katër muajsh, mijëra qytetarë, mes tyre studentë dhe të rinj, po protestojnë në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.
“Organizata të të drejtave të njeriut kanë raportuar përdorim joproporcional të forcës nga policia dhe hedhje gazi lotsjellës pa paralajmërim. Edhe Delegacioni i BE-së në Tiranë ka kërkuar hetim të shpejtë të këtyre pretendimeve”, thuhet në peticion.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga profesionistët shëndetësorë lidhet me raportimet për përdorimin e automjeteve që perceptohen si ambulanca në mbështetje të veprimeve policore. Ata kërkojnë që mjetet e emergjencës dhe personeli mjekësor të përdoren vetëm për qëllime shëndetësore, si dhe të garantohet kujdes mjekësor i paanshëm për të gjithë të lënduarit.
“Si mjekë, e dimë se çfarë dëmtimesh shkakton gazi lotsjellës, sidomos te fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë. Ambulancat dhe personeli mjekësor duhet të shërbejnë vetëm për kujdesin ndaj të lënduarve, kurrë si pjesë e operacioneve policore”, theksojnë ata.
Në kërkesat e tyre, mjekët u bëjnë thirrje deputetëve gjermanë që të kërkojnë hetim të rasteve të raportuara, të mbështesin mbrojtjen e personelit mjekësor dhe gazetarëve dhe ta përfshijnë çështjen në diskutimet për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, veçanërisht në aspektin e shtetit të së drejtës dhe të drejtave themelore.
Nënshkruesit e peticionit theksojnë se situata në Shqipëri i prek drejtpërdrejt, pasi familjarët e tyre jetojnë në vend, ndërsa shumë prej tyre janë shtetas gjermanë dhe kontribuojnë në sistemin shëndetësor të Gjermanisë.
“Evropa nuk mund ta mbrojë demokracinë vetëm përmes fjalimeve solemne. Vlerat evropiane nuk duhet të ndalen në kufijtë e Bashkimit Evropian. Shqipëria ka nevojë për një Evropë që sheh, dëgjon dhe kërkon përgjegjësi. Jo dikur, por tani”, thuhet në përfundim të letrës.
Peticioni u drejtohet institucioneve gjermane me thirrjen për të përdorur edhe mjetet diplomatike për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
