10 Tetor 2025

Pas vendimit të Prokurorisë së Fierit për të shpallur moskompetencën në hetimin e dosjes “Bankers Petroleum”, çështja tashmë i kalon Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke hapur një tjetër kapitull të nxehtë në drejtësi. Ish-deputeti Myslim Murrizi ka zbuluar  në një intervistë televizive se në këtë dosje përmenden 43 emra politikanësh të njohur, përfshirë ish-ministra, ish-deputetë dhe familjarë të tyre, si dhe nëntë kompani të mëdha që kanë përfituar miliona euro nga kontratat me Bankers. Sipas Murrizit, në dokumentet e hetimit janë identifikuar gjithashtu drejtorë të administratës, banka dhe studio ligjore që kanë luajtur rol kyç në qarkullimin e fondeve. Ai thekson se dosja, e përbërë nga 280 faqe, është e plotë dhe SPAK nëse heton siç duhet mund të tronditë themelet e politikës shqiptare.

Ja çfarë deklaron Murrizi

“Prokuroria e Fierit për mua ka bërë një gjë të mirë që e hetoi dhe e ka zbërthyer dhe ia ka çuar të gatshëm. Ka gjetur dhe lidhjet, çfarë ka: thotë nëntë kompani të mëdha kanë marrë lekë te ky dhe ka ndërtuar gjysma e Tiranës. Kompani të mëdha, këto që morën gjithë tenderat e Shqipërisë prej 25 vitesh, po, janë të përfshira brenda. Dhe ka atje ish-ministra ose shoqëri me punë që kanë futur duart. Disa kanë marrë lekë si mendje të ndritura këshilluese, disa kanë marrë lekë si konsulentë, e disa kanë marrë lekë për atë që e dinë ata që i kanë marrë. I ka parë Prokuroria e Fierit të gjitha. Janë 43 emra politikanësh dhe zyrtarësh të lartë në dosjen prej 280 faqesh. Ish-drejtorët e Tatimeve të gjithë rëndohen në faj sepse s’kanë patur asnjë kontroll atje. Po, pra, po këto do rrinin në Fier pra? Pra, drejtorët e përgjithshëm, ish-ministrat, ish-deputetët që kanë marrë lekë, kanë qenë në mandat, janë subjekte të SPAK-ut, sepse së paku për këtë u krijua.

Pjesën tjetër, hajdutët e vegjël, këta drejtorët e kanaleve atje, i heton non stop, i ka hetuar Prokuroria.  Aty janë trazuar të gjithë, kanë heshtur. Ke patur ministra financash prej 2004-ës non stop: Qeveria, Nano, Berisha, Rama 1, 2, 3, 4 5! Aty brenda çfarë kanë qenë! Ke tre studio ligjore,  që kanë marrë 13.44 milionë euro si këshillues. Ish-deputet i PS-së, një ish-deputet i PD-së. I PS-së ishte Alket Hysni dhe nga PD Eduard Halimi. Bankers ka pasur departamentin e vet, 18 juristë nga e gjithë bota brenda departamentit të vet, e kanë marrë nga 5,000 deri në 10,000 euro në muaj rrogë ata. Ka dashur edhe këshilltarë! Më korrekte nga këta ka qenë studioja e avokatit Bogës. Boga i shkreti nuk ka futur në këtë histori. Jo, ai ka marrë një pagë qesharake dhe kur e ka parë që s’i ka dhënë punë, s’është futur. I ka çuar shkresë, i ka thënë: “Marrëdhëniet tona kontraktore mbarojnë këtu se ti s’ke nevojë për mua, ke gjetur këta ustallarë të tjerë,” dhe ka ikur.

Ai ka marrë për 10 vjet 600 euro, i bie 6,000 euro në vit, 500 euro në muaj rrogë, tamam konsulencë. Aty ke djalin e ish-ministrit që është poet nga zanati, të ministrit të Jashtëm, ka marrë 383,000 euro. Thashë e mora unë për të gjetur ndonjë roman. Thashë, mos i ka bërë ndonjë elegji Bankers-it, si Gjergj Elez Alia, ndonjë roman që ta motivonte Xing Fu Çunën për fustanet. Nuk rezultoi gjëkund. Pastaj ke aty ish-deputetë që janë dhe avokatë të Raiffeisen-it. Se dallaverja më e madhe është bërë me bankën Raiffeisen. Vjen, çon lekë nga këtej, merr andej. Në fund paratë i ka qarkulluar Raiffeisen-i nëpërmjet bankës, se çfarë kanë marrë, me marrëdhënie qarkulloi. Tani këto thonë 5 miliardë euro. Bankers-i nxjerr 1 deri 1.2 milionë tonë naftë në vit. Në çmimin më të keq e ka shitur me 300 dollarë tonin, që i bie 500 milionë dollarë në vit xhiro. 20 vjet bëjnë 10 miliardë trashë e trashë. Po çmimi nuk është më 300, sot është 600, dyfishi.

Është e vetmja kompani në Shqipëri e regjistruar si biznes i madh tatimpagues që del 20 vjet me humbje, nuk shpall faliment. Por kjo quhet tip sadakaje, këto janë fe bamirësie. Pranojnë të shkrihen vetë nga kapitali i tyre vetëm kompaninë mos e mbyllin. Pra, është shumë xhentil. Kështu që këtë duhet ta kishe marrë së paku qysh sa ndodhi. Ose për mua hetimi tatimor duhet t’i kishe, nga ajo ka filluar, se s’ka filluar nga Prokuroria kjo. Hetimin tatimor duhet t’ia kishe relatuar SPAK-ut.  Nëse SPAK e heton me themel aferën mund të tronditet politika shqiptare. Por mund të kalojë si inceneratorët”.