11 të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

15 Shkurt 2026
Të paktën 11 persona kanë mbetur të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza mëngjesin e kësaj të diele. Kështu kanë njoftuar zyrtarët e mbrojtjes civile dhe të shëndetësisë palestineze.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se kishin goditur objektiva terroriste në përgjigje të shkeljeve të armëpushimit nga Hamasi, dhe se militantë ishin vrarë pasi dolën nga një tunel në zonën e kontrolluar nga ushtria izraelite.
Gjysmëhëna e Kuqe Palestinase tha se një sulm mbi një kamp me çadra në veri të Gazës vrau të paktën gjashtë persona, ndërsa një tjetër sulm në jug të enklavës vrau pesë të tjerë.
Si Izraeli ashtu edhe Hamasi e kanë akuzuar njëri-tjetrin për shkelje pothuajse të përditshme të marrëveshjes së brishtë të armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor.
Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza ka thënë se të paktën 600 persona janë vrarë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit.
Të paktën 32 persona u vranë në një valë sulmesh ajrore izraelite në Gaza më herët këtë muaj, sipas zyrtarëve lokalë, shkruan BBC.
Sulmet e fundit ndodhën ndërsa vazhdonin përgatitjet për zbatimin e fazës së dytë të një marrëveshjeje armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA-të.
Muajin e kaluar, presidenti amerikan Donald Trump shpalli një organ të ri të quajtur “Bordi i Paqes”, i cili ka mandat nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së për të krijuar një forcë ndërkombëtare të ngarkuar me sigurimin e zonave kufitare në Gaza dhe mbikëqyrjen e çarmatimit të Hamasit.
Ky bord, që pritej të mbante takimin e parë në Uashington më 19 shkurt, do të mbikëqyrte gjithashtu formimin e një qeverie të re teknokrate palestineze në Gaza dhe rindërtimin pas luftës.
Javën e kaluar u njoftua se Indonezia, si anëtare e Bordit të Paqes, do të dërgonte 8 mijë ushtarë në Gaza si pjesë e fazës së dytë të marrëveshjes së armëpushimit.
Tv Klan
