Zyrtare, Gjimshiti i bashkohet Atalantes
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pas Elseid Hysajt te Napoli, Etrit Berishës te Lacio, Rey Manajt te Interi dhe Arlind Ajetit, që gjatë nëntorit të vitit 2015 iu bashkua Frozinones
“Përshëndetje për të gjithë. Dua të ju njoftoj se që nga sot(dje) jam lojtar i ri i skuadrës italiane Atalanta. Jam i lumtur me skuadrën time të re dhe premtoj maksimumin për këtë fanellë për t'i arritur objektivat që kemi”. Ky ishte paralajmërimi i Berat Gjimshitit. Më pas erdhi edhe konfirmimi zyrtar nga klubi italian. Berat Gjimshiti është zyrtarisht lojtar i Atalantës. Klubi nga Bergamo firmosi kontratën deri në vitin 2019 me mbrojtësin e Kombëtares shqiptare. Marrëveshja e lidh kuqeziun për tre vjet e gjysmë me zikaltërit e drejtuar nga Edy Reja, ndërsa është përfshirë edhe një opsion për rinovimin e kontratës edhe për një sezon.
Njoftimi u dha në faqen zyrtare të klubit, ku i jepet mirë se ardhja 22-vjeçari, ndërsa lojtari u shfaq duke shtrënguar duart me administratorin e klubit, Luca Perkasi, pas hedhjes së firmës. Gjimshiti kaloi me sukses testet mjekësore të zhvilluara pas mesditës së të hënës. Firma në kontratë ishte formalizimi i akordit me ish-lojtarin e Zyrihut, që ishte arritur disa ditë më parë. Atalanta njoftoi se mbrojtësi do të mbajë numrin 55 në fanellë. Djaloshi i lindur në Zvicër, në një familje shqiptare nga Bujanovci u largua me parametër zero nga Zyrihu, ndërsa vlera e tij në merkato përllogaritet në rreth një milion euro. Te Atalanta talenti i Shqipërisë do të përfitojë rrogë 250 mijë euro në sezon, ndërsa në kontratë u përfshi edhe një tjetër klauzolë, sipas të cilës paga e tij gjatë qëndrimit në Bergamo do të vijë në rritje.
Lindur në Zyrih më 19 shkurt 1993, Gjimshiti është rritur te ekipet e moshave të FC Zyrihut, duke debutuar në vitin 2011 në skuadrën e parë. Në Superligën zvicerane ka luajtur 110 ndeshje, duke shënuar 5 gola. Përveç kësaj, me FC Zyrihun ka luajtur edhe 11 ndeshje dhe ka shënuar një gol në Europa League. Gjimshiti ka mbrojtur ngjyrat e kombëtares zvicerane U-21, para se të bëhej pjesë e kombëtares shqiptare, me të cilën debutoi si titullar më 14 shtator 2015, kundër Danimarkës.
Në kombëtare ka luajtur 6 ndeshje dhe ka shënuar një gol, duke dhënë kontributin e tij në kualifikimin historik të Shqipërisë për në Kampionatin Europian që do të zhvillohet këtë verë në Francë. Berat Gjimshiti bëhet lojtari i pestë i Kombëtares që do të luajë në këtë sezon të Serisë A italiane, pas Elseid Hysajt te Napoli, Etrit Berishës te Lacio, Rey Manajt te Interi dhe Arlind Ajetit, që gjatë nëntorit të vitit 2015 iu bashkua Frozinones.