Zonja zgjedh Gëcen, gati të braktisë pistën Berardi
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Lufta në të tre frontet për Juventusin vazhdon, por me një sy të drejtuar edhe nga e ardhmja.
Klubi bardhezi po arkivon rezultatet pozitive, por ndërkohë po vlerëson edhe ato negativet, në mënyrë për të përforcuar skuadrën.
Kryesia e klubit ka pasur në ditët e fundit një mbledhje për të nënvizuar pikat se ku mund dhe duhet investuar për të forcuar grupin aktual. Drejtori i përgjithshëm, Xhuzepe Marota, së bashku me krahun e tij të djathtë, drejtorin sportiv Fabio Paratiçi, kanë rënë dakord se objektivi që duhet synuar duke nisur në merkaton e verës është Mario Gëce.
Mesfushori gjerman, lojtari që shënoi golin vendimtar kundër Argjentinës dhe u dha Kupën e Botës 2014 "pancerave", nuk po përjeton një aventurë të bukur te Bajerni i Mynihut.
Edhe pse i mbërritur me shumë bujë dhe i paguar 42 milionë euro, Mario Gëce nuk ka arritur kurrë që të ambientohet, të gjente vazhdimësi në lojë, por sikur të mos mjaftonte kjo edhe dëmtimet kanë luajtur një rol të rëndësishëm, duke e nxjerrë totalisht jashtë planeve të Guardiolës.
Por çfarë është më e keqja, në Bavari, ai po humb edhe besimin e drejtuesve të klubit, prandaj një transferim në verë duket pista më konkrete.
Në krye të listës së blerësve është Juventusi, një destinacion që menaxheri i Gëces e ka pritur mirë, ndonëse nuk duhet të nënvlerësohet sidomos Liverpuli, ku stërvit ish-trajneri i tij te Borusia e Dortmundit, Jurgen Klop.
Gjithsesi, marrëdhëniet e shkëlqyera që menaxheri i gjermanëve, Karl-Hainc Rumenige, ka me presidentin e italianëve, Andrea Anjeli, e bën më konkrete firmën me Juventusin, i cili është gati që të shpenzojë 40 milionë euro për Mario Gëcen. Madje, për 23-vjeçarin e Bajernit të Mynihut, bardhezinjtë janë gati që të heqin dorë edhe nga një lojtar që ata e kanë bllokuar prej vitesh, Domeniko Berardin e Sasuolos.