Saki: Juvja si Rosenborgu, Alegri nuk është një fenomen, Konte po
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Thumbimi është nga ata të destinuarit për të lënë shenjë, edhe pse vjen në një moment të papritur, në një moment ku më shumë sesa për kritika ka nevojë për mbështetje dhe këshilla.
Por Arrigo Saki nuk është nga ata që e kafshon gjuhën edhe përpara kryesueses së Serisë A, një skuadre e zonja që të fitojë 17 nga 18 ndeshjet e fundit në kampionat, një grupi që diti të rikuperojë dy gola të pësuar përballë Bajernit të Mynihut, në ndeshjen e parë të 1/ 8-ave të finaleve të Championsit.
Por ish-trajneri i Kombëtares së Italisë, një "skulptor" i futbollit të bukur dhe një inovator i futbollit total në krye të Milanit, arritjet e Juventusit sivjet nuk i mjaftojnë. "Juventusi është 10 vite përpara të tjerave për vendimmarrje dhe kompetencë si klub. Por limitet e saj janë 'foljet'.
Unë te Milani im kisha 3 'folje' të shenjta; të fitoje, të bindje dhe të dëfreje. Ndërsa Juventusi ka vetëm një: të fitojë. Por kjo tregon një dobësi. Pa dyshim që edhe për shumë vite do të thuhet:
'Po, në Itali vazhdon të fitojë'. Por unë them dhe do të them:
'Edhe Rosenborgu fiton gjithmonë titullin në Norvegji, por ajo që vërtet ka rëndësi është Liga e Kampioneve dhe në Europë fakt është që Juventusi lodhet të fitojë në këto turne".
Konte, më mirë se Alegri
Juventusi që dominon në Itali prej 4 vitesh e gjysmë ka pasur në stol fillimisht Antonio Konten dhe më pas Masimiliano Alegrin, por Arrigo Saki ka një mendim edhe për secilin prej tyre:
"Konte është një fenomen i lindur, i duhet vetëm që të zhveshë një italianizëm që e mbështjell, e cila do të thotë se duhet të nisë të jetë më koherent me idetë e reja të futbollit. I ashtuquajturi futboll total nuk ka aspak lidhje me italianizmin.
Unë, Antonion e kam parë të stërvitë: ka ide të qarta, talent, di të shpikë gjëra. Por tani ka ardhur ora vetëm që ai të heqë dorë nga të pasurit pak frikë. Koha që të kërkosh ta mbash më shumë topin sesa të tjerët ka përfunduar, - vazhdon Saki, i cili nuk është po kaq i sjellshëm me Alegrin.
- Unë i ndaj trajnerët në tre kategori. E para është ajo që përmbledh një skuadër të vogël gjenish, inovatorësh, ata që dinë të vënë lojën në mes të projektit të tyre. Kategoria e dytë është ajo e atyre veshëmëdhenjve, të cilët ndjekin modën, por pa ditur ta vënë në zbatim atë.
Ndërsa e treta është ajo me ata krenarët e kapur fort te e kaluara, të cilët mundohen të bëjnë vetëm një taktikë të lodhshme, ata të shkumosurit nga një sistem i vetëm loje. Dhe për mua, Masimiliano është një miksim mes kategorisë së parë dhe të dytë; është një takticien i madh, di të ndryshojë gjërat gjatë lojës, por nuk duhet të kënaqet vetëm duke fituar.
Për mua, ka ardhur koha që të dalim nga diktatura e taktikës se vjetër: Së pari të mos pësojmë se një gol e nxjerrim. Sot futbolli duhet luajtur dhe ata trajnerë që dinë ta bëjnë këtë në Serinë A janë Di Françesko, Spaleti, Sarri, Souza e Xhampaolo".
Përgatiti: JETON STAMOLLA