Kapelo shikon shanse për Juven: Ja çfarë duhet të bëjë Alegri
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Bajerni mbretëroi në "Juventus Stadium" për një orë në ndeshjen e parë të 1/8-ave të Ligës së Kampioneve.
Por ish-trajneri i Juventusit, Fabio Kapelo, shikon shanse konkrete për kampionët e Italisë që të kualifikohen në çerekfinale dhe i ofron edhe këshilla teknike Masimiliano Alegrit për sfidën e "Allianz Arena"-s.
"Kur Bajerni luan në Champions lojtarët janë të përqendruar maksimalisht dhe ndjekin kërkesat e trajnerit të tyre deri në detaje. Por, në Bundesligë, ata i nënvlerësojnë detyrat e tyre", thotë 69-vjeçari, duke marrë si shembull dhe humbjen e fundit të rekordmenëve gjermanë 1-2 me Maincin.
Por a ka një recetë Don Fabio për takimin e javës së ardhshme në mënyrë që "Zonja e Vjetër" të marrë një fitore, apo një barazim me më tepër se dy gola?
"Ajo që duhet të bëjë Juventusi është që kur të ketë topin në këmbë, të mos vihet në presion dhe të provojë topin e gjatë përpara sa më shpejt që të jetë e mundur".
Pikërisht kundërsulmi me topa pas shpine, ai që vuri në vështirësi gjermanët në Torino në 30 minutat e fundit, është sipas Kapelos edhe arma për të nxjerrë në pah defektet e skuadrës së Guardiolës në mbrojtje:
"Në mbrojtje, Bajerni lë shumë për të dëshiruar, edhe pse në portë kanë një portier të shkëlqyer (i referohet Nojerit)". Por nëse Juventusi do t'i zbatojë këshillat e ish-teknikut, kjo mbetet për t'u parë më 16 mars, duke filluar nga ora 20:45.