Myler: Bajerni nuk ka asgjë më pak se Barcelona
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Bashkë me Robert Levandovskin, ata kanë shënuar 40 nga 59 golat e Bajernit në Bundesligë këtë sezon.
Polaku e ka gjetur rrugën e rrjetës 23 herë, ndërsa Tomas Myler 17.
Gjatë një interviste për "Bild" dhe "Sport 1", Myler prek temat më interesante të aktualitetit në shtëpinë e Bajernit dhe partneriteti i tij me Levandovskin është njëra nga më interesantet:
"Kemi një lidhje të veçantë dhe të dy gëzojmë instinktin e golit. Pastaj të dy marrim shumë topa nga krahët, sepse këtë e kërkon edhe trajneri. Pep e di që ne i shkaktojmë shumë probleme kundërshtarit kur shfaqemi të dy përpara porte. Problemi i vetëm që Leva më shkakton është se unë nuk mund të luaj si një sulmues i parë, por më duhet të jem gjithnjë pas tij".
Guardiola
Trajneri do të lërë Bajernin në fund të sezonit për të nisur një aventurë të re te Siti. Myler pranon se i vjen keq që katalanasi do të largohet nga Mynihu.
"Jemi zhvilluar shumë si skuadër nën drejtimin e tij. Sot, të gjithë e dimë çfarë duhet bërë në fushë dhe e aplikojmë atë në një nivel të lartë. Skuadrës do t'i kishte pëlqyer që të vazhdonte të punonte me Pepin, por ai ka plane të tjera, kështu që gjithçka është në rregull", nënvizon 26-vjeçari.
Rekordi
Vendosja e rekordit të 4 titujve radhazi në Bundesligë nuk është shndërruar në një fiksim për sulmuesin:
"Unë nuk jam një gjahtar rekordesh. Por ky titull do kishte pa dyshim një shije më të veçantë edhe për faktin se do të kishim mundësinë ta fitonim ndaj një rivaleje më të fortë. E njohim forcën e Dortmundit që në gusht dhe e dinim se titulli nuk do të vendosej tani".
Kimish
Për talentin më të ri që po ndihmon skuadrën këtë sezon, Joshua Kimish, "mullixhiu" ka vetëm fjalë pozitive:
"Është një djalë i mirë që e ka shfaqur ambicien e tij që në momentin e parë që shkeli këtu. Ka guximin e duhur dhe ia ka dalë në të gjitha ndeshjet që ka luajtur deri tani".
Champions-i
Nëse Bajerni ia del të kualifikohet në çerekfinale, një rivale e mundshme mund të jetë kampionia në fuqi e Barcelonës, fituesit e tripletës dhe në formën që po kalojnë këtë sezon, mbeten sërish favoritët për të mbrojtur trofeun.
Por a u trembet Myler? "Sigurisht që i shohim çdo javë sa të fortë janë. Janë fituesit e tripletës dhe vijnë në formë shumë të mirë, por në thelb unë e shoh Bajernin absolutisht në majë të Europës, natyrisht së bashku me Barcelonën".
Tripleta?
Tomas nuk ka presion as nga fjala tripletë: "Sigurisht që luajmë për të tre trofetë". Por, kur i kërkohet diçka më tepër, si për shembull Europiani i Francës, ai nuk harron të thumbojë mediat përpara dy miqësorëve me Anglinë dhe Italinë:
"Po t'i heqim qafe të dyja, mediat do të na shpallin menjëherë kampione Europe. Por i humbëm, për disa do jetë momenti i krizës. Më e mira është të luajmë mirë dhe të barazojmë".
Përgatiti: ANDROKLI DRALO