Mançini: Qëndroj nëse nuk më largojnë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Gjatë një interviste që dha dje për porta lin "Calciomercato" trajneri i Interit largoi "retë" nga e ardhmja te zikaltrit duke zbuluar vullnetin e tij.
Po aq i hapur ai ishte kur foli edhe mbi disa çështje të tjera po aq të rëndësishme.
Mister, së bashku me Ançelotin jeni të vetmit trajnerë italianë që keni fituar titullin kampion në Premier. I juaji kishte edhe më shumë rëndësi pasi Siti nuk shijonte të tillë triumf prej 44 vitesh. Por tani drejt këtij suksesi duket se po vrapon edhe Ranieri me Lestërin, ekipi që keni ju mbyllur karrierën.
Më bëhet shumë qejfi për Ranierin pikërisht për faktin se e njoh fare mirë atë realitet. Tani ata kanë një ekip më të fortë krahasuar me kohën kur isha unë, por sërish them se triumfi atje është mjaft i komplikuar. Më bëhet qejfi edhe për Ranierin. Ai meriton një sukses të madh dhe nëse do të fitojë titullin atje do të jetë diçka e paharrueshme.
Përse ju ka mbetur në zemër Premieri? Mendoni se do të ktheheni më në ishull?
Premier Liga është e bukur pasi atje jetohet futbolli. Nuk është si këtu (në Itali) ku, pas dy humbjesh apo dy fitoresh, kalon nga ferri në parajsë. Atje stadiumet janë plot. Fakti që e kam fituar një herë Premier Ligën dhe një herë Kupën FA për mua është fantastik. Te Siti tani shkon Guardiola. Kjo do të thotë se nuk do të ketë më vend në ekip për Jaja Turen. Nuk e di çfarë do të ndodhë te Siti. Mendoj se është skuadra më e fortë e kampionatit, edhe pse në fund mund të mos fitojë asgjë. Ture është një lojtar i madh, por nuk mund të them nëse do të kthehet për Interin në një çështje për merkato.
Ju keni thënë se këtë sezon Interi kap Championsin. A mendoni se vitin që vjen kjo skuadër mund të luftojë për titullin kampion?
Kur niset një erë e re, një rrugëtim i ri, ashtu siç po bën Interi tani, përpara se të kthehesh në maja, mund të kalosh momente të bukura dhe të tjera më pak të pëlqyeshme. Gati gjatë gjithë pjesës së parë të sezonit kemi qenë në krye të klasifikimit, pra diçka e mirë është bërë. Tani kemi një objektiv, të njëjtin që i kishim vënë vetes në fillim të kampionatit. Në të njëjtën kohë them se nuk është aspak e lehtë ta arrijmë, por ne do të bëjmë maksimumin. Në këtë kohë, shumë prej analistëve dyshojnë për punën e bërë nga Erik Tohir.
Ju që jeni në kontakt të vazhdueshëm me të, a mund të na thoni diçka më shumë rreth të ardhmes së klubit?
Unë nuk kam detyrë të kontrolloj llogaritë e Interit, por them se është çështje kohe që Interi të rikthehet ekipi i madh që dominoi në Europë. Presidenti ka investuar në ekip dhe jam i bindur se do ta bëjë diçka të tillë edhe në të ardhmen.
Në disa momente, jeni kritikuar ashpër nga gazetarët. Mund të na thoni se kur keni vuajtur më shumë?
Nuk i lexoj gazetat. Në televizor shikoj vetëm ndeshjet... Me gjithë respektin që kam për punën që bëjnë gazetarët, nuk krenohem kurrë me lajkat që më bëjnë kur ekipi është mirë. E njëjta gjë vlen edhe në rastet që komentet janë agresive.
Agresive?
Po, ashtu janë shpeshherë. Nuk i kam lexuar apo dëgjuar vetë, por m'i kanë thënë të afërmit. Tifozllëku ndikon shumë dhe shpeshherë gazetarët janë tifozë.
Për Ljajiçin keni thënë se ka talent, por duhet të stërvitet më shumë. Edhe ju kur keni qenë i ri keni qenë si ai?
Jo, e ke gabim, unë kam qenë si ai kur isha 16 vjeç jo 25 sa ç'është Ademi tani.
Do të vazhdoni të jeni edhe sezonin tjetër trajneri i Interit?
Nëse nuk do të më largojnë, po. Them kështu pasi në futboll gjërat ndryshojnë shpejt. Në fillim të sezonit thoshin se do të shkarkonin Alegrin. ndërkohë tani thonë se do t'i japin kontratë 20- vjeçare.
Përgatiti: ALTIN VORPSI