e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Zmijani: Presioni mbi Skënderbeun, nuk është turp të fitojë Vllaznia

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Zmijani: Presioni mbi Skënderbeun, nuk është turp të fitojë Vllaznia

Ish-futbollisti i Vllaznisë dhe Kombëtares shqiptare, Hysen Zmijani, e cilëson si një ndeshje të fortë përballjen Skënderbeu-Vllaznia.Zmijani Sipas Zmijanit, korçarët nuk do ta kenë aspak të lehtë përballë kuqebluve.

Ish-futbollisti u shpreh se ekipi i drejtuar nga Armando Cungu ka pësuar rritje të konsiderueshme dhe Skënderbeu i Josës kurrsesi nuk e ka të sigurt fitoren përballë kësaj Vllaznie. Për Zmijanin, me 99% Vllaznia e ka siguruar mbijetesën në Superiore, pas fitoreve me Tërbunin dhe Bylisin. Por ai kërkon kujdes, sepse ende asgjë nuk ka përfunduar, edhe pse praktikisht Vllaznia duhet të ndihet e sigurt në këtë aspekt.

"Skënderbeu-Vllaznia do të jetë me të vërtetë një ndeshje e fortë. Kush mendon se korçarët e kanë të lehtë, gabohen rëndë. Vllaznia shkon në Korçë në një pozitë të favorshme, pas fitoreve të fundit. Për mua presioni është në radhët e Skënderbeut, sepse nuk i lejohet rezultat tjetër veç fitores, për vetë pretendimet që ka për fitimin e titullit kampion. Unë e bazoj këtë jo vetëm te perceptimet e mia personale, por edhe te rezultatet e fundit të shkodranëve, si dhe loja e bukur që ka zhvilluar skuadra.

Në këtë mënyrë, them se Skënderbeu do të ketë goxha punë për t'i marrë fitoren Vllaznisë, pra nuk do të jetë një mision i lehtë. Gjithashtu, dua të them përpara kësaj ndeshjeje të rëndësishme, kryesisht për korçarët, se nuk është aspak turp nëse Vllaznia del me një rezultat pozitiv nga Korça, këtu përfshij barazimi dhe fitoren", u shpreh fillimisht Zmijani.

Vlerësimi për kryebashkiaken

Rreth punës që po bën kryetarja e Bashkisë me Vllazninë, Hysen Zmijani u shpreh:

"Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, duhet përgëzuar dhe vlerësuar për atë që po bën. Unë kam qenë një prej kritikëve të Bashkisë Shkodër që shpeshherë e ka lënë Vllazninë në harresë, por kësaj radhe kryebashkiakja po bën maksimumin e saj që skuadra të ketë një ecuri pozitive.

I ka qëndruar afër ekipit dhe i ka plotësuar kushtet, me sa mundësi që ka. I ka takuar shpeshherë para ndeshjeve, në dhomat e zhveshjes apo edhe në grumbullime. Kjo ka të bëjë shumë, sepse është një shtysë për lojtarët dhe stafin dhe i ngroh në situata të vështira. Ky interesim duhet të vazhdojë dhe të zgjerohet dhe në të ardhmen duhet të bëjë një vlerësim të situatës, në mënyrë që Vllaznia sezonin e ardhshëm të mos e diskutojë më mbijetesën, por të jetë në luftë për trofetë e munguar. Ka një bashkëpunim mes trajnerit Cungu dhe kryebashkiakes Ademi dhe shpresoj që në të ardhmen të gjenden edhe fondet e duhura që ekipi të mos vuajë më".