e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Mungon fantazia, është shqetësuese forma e Gashit

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Mungon fantazia, është shqetësuese forma e Gashit

sul starovaNga SULEJMAN STAROVA

Ishte shumë pak për të marrë përgjigje konkrete dhe për të vendosur saktësisht se cili prej këtyre futbollistëve mund të konkurrojë lojtarët që deri tani janë cilësuar titullarë.

Në pjesën e parë, Shqipëria krijoi epërsi territoriale dhe e qarkulloi më tepër topin, por ama la edhe hapësira. Bëmë 4 gjuajtje jashtë dhe dy në kuadrat. Mund të kishim shënuar që në pjesën e parë, por ishim disi kaotikë në afërsi të zonës kundërshtare.

Kjo ndodhi sepse mungonte fantazia. Shqipëria luajti kryesisht një ndeshje në nivelin mesatar kundrejt një kundërshtari që s'ka të krahasuar me Austrinë. Vendosja e Bashës në krahun e majtë nuk m'u duk e gjetur, pasi ra shumë pak në sy. Memushaj nuk arriti të bënte si duhet lidhjen me sulmuesin e vetëm, Cikalleshi. Por më shqetësuese, për mendimin tim, është gjendja e Gashit.

Ndoshta roli i mesfushorit të djathtë nuk e lejon të japë më të mirën dhe kjo e detyroi shpeshherë të spostohej nga qendra, por ky është shqetësim. Gashi është ndër të paktët që mund të bëjë diferencën dhe mban në tension konstant të gjithë kandidatët e tjerë për titullar. Por, forma e tij në fakt nuk ishte ajo që prisja.

Pjesa e dytë

Nis vrullshëm nga tanët, por rastin më të mirë e pati Luksemburgu për të shënuar, pasi Gashi humbi topin në mesfushë. Pas kësaj duhej të dilnin në pah cilësitë e Ajetit, por tregoi se nuk është gati, pasi kundërshtari i iku lehtësisht...

Megjithëse ai i djeshmi nuk mund të quhet një test real për Europianin, mendoj se pjesa dërrmuese e lojtarëve që aspirojnë të vënë De Biazin në vështirësi për formacionin titullar nuk e kaluan dot klasën. Dyshja e qendrës së mbrojtjes tregoi se është shumë larg asaj Cana-Mavraj, përpos gabimeve të tyre me Austrinë. Veseli ishte një lojtar mesatar, po ashtu si dhe Aliji. Lojtar me këtë nivel mund të marrësh 4 apo 5 edhe nga kampionati shqiptar.

Prisja diçka më shumë edhe nga Roshi, sepse tani ka përgjegjësinë dhe barrën e një njeriu që kur hyn në fushë duhet patjetër të bëjë diçka ndryshe dhe diçka më mirë se të tjerët. Kjo, për shkak të cilësive që ka. Në 25 minutat e mbetura të pjesës së dytë dihej që do të sulmonim me të gjitha forcat dhe mënyrat, sepse ishte logjike: kundërshtari luante me 10 veta dhe kishte shpenzuar shumë energji.

I vetmi që tregoi se mund të bëjë diçka ndryshe është Cikalleshi, i cili me pak më shumë cinizëm dhe dinakëri mund ta zhbllokojë një ndeshje më herët. Por ka cilësi dhe ka forcë. Aktivizimi i Sadikut duhej bërë më herët. Mendoj se në të tilla ndeshje aktivizimi i dy sulmuesve të deklaruar do të ishte i nevojshëm dhe më efikas. Nëse nuk e bëjmë këtë me Luksemburgun, atëherë...

Fitorja gjithsesi ka rëndësi për statistikë, por edhe për moralin, sepse dalja huq në ndeshje të tilla shpeshherë nuk e shmang tensionin. Por, nëse flasim për sinjale pozitive, ato ishin me pikatore. Nuk mund të nënvlerësoj shpirtin e garës dhe dëshirën për ta fituar një ndeshje, por jo efikasitetin në veprimet sulmuese dhe qartësinë që duhet të kemi kur kundërshtari mbyllet në mbrojtje. Vazhdojmë të vuajmë shumë në këtë pjesë dhe kjo duhet zgjidhur sa më shpejt. Dukshëm u pa edhe se portieri i dytë është Shehi, ndërsa Hoxha ndoshta duhet të bëhet gati për edicionin tjetër që ta parakalojë.