Kthehen Hoxhallari dhe Gërçaliu, arnohet mbrojtja
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Te Tirana hallet nuk kanë fund.
Një tjetër lojtar i është shtuar infermierisë dje. Dhe, për fatin e keq të bardhebluve, bëhet fjalë sërish për një lojtar të repartit të mbrojtjes. Endrit Idrizaj ka shfaqur probleme dhe dyshohet se ka pësuar tërheqje.
Lojtari ka ndërprerë stërvitjen dhe pas konsultës fillestare me mjekët, është konstatuar se shenjat nuk kanë qenë aspak pozitive. Shanset që ai t'ia dalë për të dielën janë të pakta. Vetëm pas dy ditësh qetësi ai do të kryejë një eko, e cila do të saktësojë edhe diagnozën dhe shkallën e tërheqjes.
Muça dhe Karan po vijojnë stërviten të diferencuar, Malaj ka një problem muskulor, Teqja ka frakturë në hundë, Kërçiku është i pezulluar prej kartonëve, ndërsa i fundit që i bashkohet listës së mungesave është pikërisht Idrizaj. Mes gjithë këtyre problemeve në prapavijë, tekniku po mendon për përshtatjen e lojtarëve të tjerë, por misioni nuk do të jetë aspak i lehtë.
Rikthimet
Por rikthimi i Erjon Hoxhallarit (i grumbulluar me Shpresat) dhe i Ronald Gërçaliut (i cili kishte marrë leje) japin një lloj qetësie deri diku. Edhe pse me një kontingjent realisht të cunguar, të paktën Ilir Daja do të ketë mundësinë që të "arnojë" prapavijën. Gjasat janë që djathtas të vendosë të riun Deliaj, ndërsa majtas Hoxhallarin, sakaq qendra pritet që të krijohet nga Smajli e Gërçaliu. Megjithatë kjo është vetëm një ide, pasi gjatë këtyre ditëve do të provohen disa variante, derisa të krijohet "bunkeri" për ndeshjen me Tërbunin.
Në mesfushë mund të luhet me tre, me Muzakën, Karabecin dhe Vucajn, i cili ka rimarrë ndjeshëm veten në javët e fundit. Ndërsa ofensiva do i besohet Elis Bakajt, që do të ketë mbështetjen e Likës dhe Fukuit. Ky i fundit ka dhënë shenja të mira riaftësimi dhe me 100 për qind të mundë- sive do të jetë në fushë për javën e 28-të.
Të rinjtë
Tirana prej ditësh ka përforcuar kontingjentin me elementë nga ekipi i të rinjve. Mungesat e shumta kanë detyruar trajnerin që të hedhë vështrimin nga akademia. Kristi Prendi dhe Albi Doku janë vënë nën urdhrat e stafit teknik dhe pritet që të jenë në organikën e bardhebluve për ndeshjen e së dielës. Sulmuesi dhe mbrojtësi janë prej kohësh nën vëzhgimin e Ilir Dajës dhe në varësi të lojës ai do të shohë edhe mundësinë nëse do t'i japë apo jo minuta.
Përgatiti: ADELA MERKO