Namanet të Striniqit të madh! Ymerin dhe Ymerët ti duam sa janë gjallë!
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shoqata publicistike "Anton Mazreku" në Shkodër organizoi aktivitetin "Takim me profesor Ymerin", në përkujtim të 1-vjetorit të ndarjes nga jeta të Ymer Striniqit, komentatori, gazetari, staticienti dhe mësuesi i shquar e i palodhur shkodran që fitoi zemrat e mbarë shqiptarëve.
Në këtë përvjetor morën pjesë figura të shquara të gazetarisë, sportit, miq dhe familjarë të Ymer Striniqit.
"Nuk do të më takonte të flisja këtu përpara shumë figurave të tjera që jetuan, punuan dhe ndanë shumëçka me Ymer Striniqin. Ne u mblodhëm për të përkujtuar veprën madhështore gjatë gjithë jetës së tij, deri në ditën e fundit kur nuk mundi të merrte më frymë.
Gjeniu i mikrofonit iku si qyqan, si varfanjak. Po, po kështu iku dhe ne s'bëmë asgjë për të. Të flasësh bukur sot që ai nuk jeton më, të bësh sikur e ke dashur apo të shtiresh sikur i je gjendur pranë sot që është në qiell, është shumë e lehtë. Dhe Ymeri e di se për çfarë po flas. Pata fatin që ta njoh në vitet e shkollës kur jepte mësim në lëndën e letërsisë. Më injektoi dashurinë për letërsinë e më pas gradualisht edhe për sportin, një pasion të vegjëlisë që më ndihmoi ta ktheja edhe në profesion. Një burrë stoik në çdo orë mësimi me të cilin kompromisi ishte i pamundur. Një burrë fisnik e i pastër në shpirt që shumë shpejt u kthye në mësuesin më të dashur.
Orët e letërsisë u bënë të thjeshta, sepse duke perceptuar mësues Ymerin, veprat e autorëve klasikë, modernë apo edhe rilindësit tanë përthitheshin me symbyllur. Prania e tij në shkollë ia bënte të pamundur të merrte gazetat apo revistat e sportit. Në pamundësi, shpeshherë ia sillja në klasë gjë për të cilën gëzohej shumë. 900 lekë të vjetër që kushtonin tri gazeta nuk doja që t'ia merrja, por ishte e pamundur.
4-5 vite më pas do të qëllonim koleg në televizion e më pas në shumë fusha sportive. Në një dokumentar modest të realizuar me iniciativën time për 55-vjetorin në mikrofon, teksa nuk dinte asgjë deri sa u përfundua, sepse kështu zgjodha, sapo ka parë sekondat e fillimit është shkrehur në lot si një fëmijë.
Dridhej aq sa më frikësoi deri sa më kapi dorën dhe më tha 'deri më sot askush s'ka menduar për mua'. Ky takim i dytë më shërbeu edhe një herë për të mësuar nga ai gjënë më të shtrenjtë, pastërtinë. Kompromisin e urrente.
Nuk dua të them që jam si ai, sepse e di që s'do mund ta arrij edhe pse do përpiqem, por më mësoi si të jesh i pastër dhe pa kompromise. Dhe për këtë i detyrohem. Vitet e fundit të jetës i kaloi mes shumë vuajtjesh. Shëndeti që i pakësohej dita-ditës dhe gjendja ekonomike e tij e bënë më të dobët. Ndonëse diti t'i përballonte këto vështirësi, unë e dija se çfarë ndjente. Shumë nga ju mund ta dinë dhe shumë jo. Vitet e fundit kërkonte që të shiste të gjithë materialet që dispononte. 'Aman, nuk kam çmim të shtrenjtë, për 1 milion e gjysmë i jap'.
Situata e tij ishte në zgrip, aq sa kërkonte të shiste shpirtin e tij, gazeta, revista, libra, shënime e blloqe statistikash e materiale të tjera që kishte një jetë që i ruante me aq ëndje. Deri këtu arriti! Në fakt, për çfarë kanë nevojë Ymeri dhe Ymerat që janë ende gjallë sot.A kanë nevojë për takime të tilla, natyrisht që po, por më shumë nevojë kanë t'u gjendemi sa janë gjallë, t'i vlerësojmë sa janë gjallë. Çfarë bëmë ne, çfarë bëri politika apo institucionet përgjegjëse që të paktën varfërinë t'ua zbusnim? Asgjë nuk bëmë. Ne jemi fajtorë dhe shumë fajtorë, edhe unë që jo rrallëherë ndaja ndonjë kafe me të. Është e pafalshme që gjatë gjithë jetës sa janë gjallë të tallemi me jetën e kontributet e tyre e sot të vijmë e të flasim bukur.
Titullin 'Mirënjohja e Qytetit' arriti ta marrë vetëm falë këmbënguljes së gazetarëve sepse Këshilli Bashkiak i asaj kohe nuk donte t'ia jepte, pasi pastërtia e tij i bënte alergji. Një figurë e shquar që tundte emocionalisht çdo shqiptar përmes valëve të radios e më pas të ekranit, për Këshillin Bashkiak të mandatit 2007-2011 siç duket nuk kishte vlera ose në mes përzihej diçka tjetër që ju mund ta vetëkuptoni.
Që nga ajo ditë e deri më sot, morën tituj aq shumë të cilët në vend të vlerës kanë antivlerën dhe, në krahasim me të madhin Striniqi, janë shumë larg. Dhe në fundit amaneti i tij ishte: 'S'dua ceremoni pas vdekjes!'.
Kjo nuk është një elegji, por për t'i treguar botës, ju, vetes, të gjithëve se Ymeri dhe Ymerët nuk kanë nevojë për fjalët e bukura pas vdekjes, as për nderime pas vdekjes, por t'i duam dhe t'i respektojmë sa janë gjallë. Ky është fjalimi i im i parë pas 10 vitesh në gazetari dhe jam me fat që zgjodha të shkruaj disa rreshta për Striniqin e madh që për mua s'do të vdesë kurrë. Mbase duhet të presim 10 vite të tjera që të flas sërish. Më falni, nëse ju rëndova, por fola siç do të donte profesor Striniqi, ndryshe s'do të më falte ai mua! Faleminderit!".
