Zildzoviç, 11 ndeshje 11 pikë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ardhja e boshnjakut Zildzoviç në krye të pankinës së Bylisit, së bashku me merkaton e bërë në janar, rriti shpresat e kampit mallakastriot për mbijetesën në Superiore.
Mirëpo, kur janë luajtur deri më tani 11 sfida nën drejtimin e boshnjakut, krahasimi i Bylisit të tij me 11 javët e para të kampionatit qëndron më lart në pikë dhe duket disi i rilindur.
Për këtë arsye, në Ballsh besojnë se mund t'ia dalin këtë sezon, edhe pse pritshmëritë e drejtuesve kanë qenë më të mëdha në krahasim me rezultatet. Kështu, Bylisi i 11-të ndeshjeve të para të kampionatit pati grumbulluar vetëm 6 pikë, në krahasim me 11 që ka koleksionuar nën drejtimin e Zildzoviç.
Mesatarja e boshnjakut është një pikë për ndeshje, ndërsa më parë ka qenë 0.54 pikë, gati dyfishi më pak. Megjithatë, edhe pse shifrat flasin në favor të Bylisit pas merkatos së janarit, sërish është ende shumë pak për të pretenduar mbijetesën.
Ballshiotët kanë ende shumë nevojë për pikë të tjera në sfidat e mbetura, ndaj për këtë arsye në "Adush Muça" këtë fundjavë do të kërkohen tri pikët përballë bardhebluve të kryeqytetit. Fitorja e fundit në Pukë ka rikthyer entuziazmin e humbur pas disa rezultateve negative rresht.