Mesi: Besojmë ende te tripleta
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
E ka shfrytëzuar pragndeshjen me Atletikon për të thyer heshtjen pas ndalesës me Sociedadin në kampionat dhe rikthyer edhe një herë optimizmin në kampin katalanas.
Lionel Mesi ka lëshuar një mesazh nëpërmjet rrjeteve sociale se nga mentaliteti i skuadrës nuk ka ndryshuar asgjë pas rihapjes së La Ligës dhe se katalanasit janë të vendosur për të luftuar deri në fund për tripletën historike. "Mentaliteti ynë vazhdon të jetë i njëjti. Ne punojmë gjithë sezonin për të arritur në finale dhe mundur të fitojmë trofetë. Vazhdojmë të besojmë te vetja", shkroi argjentinasi në mesazhin e tij.
Enrike
Edhe trajneri i tij e ka mbrojtur sulmuesin nga kritikat e ndeshjeve të fundit. "Mesi? S'kam asgjë për të thënë. Është e padrejtë që t'ia japim meritat në fitore tre lojtarëve, ashtu si t'ua heqim atyre në humbje. Në fitore festojmë të gjithë bashkë, ndërsa në humbje përgjegjës jam unë", tha trajneri i Barçës për mungesën e rezultateve në ndeshjet e fundit në kampionat.
E keni analizuar atë që ndodhi në Anoeta?
Do të kemi kohë për ta analizuar atë. Tani luajmë në Ligën e Kampioneve, një tjetër kompeticion.
Çfarë mendoni për faullet e shumta ndaj Nejmarit?
Ai është një specialist i driblimeve, prandaj i shkaktohen kaq shumë faulle. Por është arbitri ai që vendos, duhet ta mbrojë apo jo. Ne jemi një skuadër që pëson më tepër faulle sesa shkakton.
A është kjo ndeshja më e rëndësishme?
Nuk e kam këtë përshtypje. Çerekfinalet janë ndeshje tërheqëse vetëm për ata që kualifikohen në gjysmëfinale.
Jeni përgatitur për penalltitë?
Jo, nuk i kemi provuar, por i dimë specialistët e tyre. Do të vendosim nëse do të vijë si situatë. Por, të shohim. Ne duhet të bëjmë një ndeshje të madhe. Kur rezultatet mungojnë si në ndeshjet e fundit, diçka duhet përmirësuar. Ne jemi gati fizikisht dhe psikologjikisht për të tilla ndeshje.
PËRGATITI: ANDROKLI DRALO