Studenti dhe Tirana, me një këmbë në finale
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Vllaznia nuk e ka nisur mirë përfaqë simin e saj në fazën e "play off"-it. Në ndeshjen e parë gjysmëfinale, shkodranët kanë humbur brenda fushës me ekipin e Tiranës.
Ka qenë një ndeshje e dobët e Vllaznisë, e cila nuk arriti të dominonte dhe të dilte në lojën e saj ndaj Tiranës. Shkodranët kanë bërë edhe shumë gabime duke dhuruar pikë për kundërshtarët. Vetëm një set i fituar nuk mjafton për Vllazninë sepse miqtë nga kryeqyteti luajnë mirë dhe nuk tolerojnë për asnjë moment. Kjo ndeshje prish jo pak llogaritë për ekipin e trajnerit Kalaja.
Megjithatë, shpresat ende nuk janë mbyllur sepse Vllaznia do të ketë sfidën e radhës në Tiranë ndaj bardhebluve dhe në rast të një fitoreje, atëherë do të zhvillohet ndeshja e tretë dhe e fundit në Shkodër, e cila përcakton ekipin finalist. Në të kundërt, në rast të një humbjeje edhe në kryeqytet, atëherë Tirana merr biletën për në finale. Me një këmbë në finale janë edhe kampionët në fuqi të Studentit. Kryeqytetasit e drejtuar nga trajneri Ylli Tomorri fituan me rezultatin e pastër 3-0 në derbin me Farka Volej.
Të besuarit e trajnerit Bardhi rezistojnë vetëm në setin e parë deri në pikën e 15-të ku loja shkon pikë më pikë. Deliu e Qepa shpërdorojnë shërbimet, ndërsa Malaj e Ivanov shënojnë. Më pas vjen ekuilibri me anë të Redjo Koçit, më i miri për ekipin e tij. Pas ekuilibrit 15-15 vjen shkëputja për Studentin. Diferencën e bën Troka duke shënuar 4 pikë radhazi dhe rezultati shkon 19-15. Më pas seti nuk ka më histori, pasi Studenti nuk përmbahet dhe e fiton 25-19. Në dy setet e tjerë volejbollistët e Farka Volej nuk kanë mundur dot të bëjnë rezistencën si në setin e parë.
Në radhët e tyre ndihen shenja lodhjeje. Madje edhe pikët e fituara i kanë dhuratë nga shërbimet e gabuara herë të Çalit e Trokës dhe herë të Malajt. Kështu, seti i dytë nis me pikën e Trokës dhe mbyllet me zhytjen e tij, 25-18.
Ndërsa seti i tretë, nis me pikën e Qeraxhiut dhe mbyllet me pikën e shënuar nga blloku Troka - Ivanov, 25-14. Pikëshënuesit më të mirë ishin Arbër Troka për Studentin me 19 pikë dhe Redjo Koçi për Farka Volej me 9 pikë. Kështu Studenti tani është shumë pranë finales, porse i duhet një tjetër fitore të premten në sallën sportive "Fahrie Hoti".
VLLAZNIA-TIRANA 1-3 (0-1)
(18-25, 25-23, 20-25, 16-25)
VLLAZNIA: Miloti, Çekini, N.Qafarena, Taflaj, A.Qaferana, K.Kola R.Kola (U aktivizuan: Jukni, Lloshi, Tatar). Trajner: A.Kalaja
TIRANA: Xhija, Lundra, Pepaj, Ferhati, Rama, Kula, Kasemaj (U aktivizuan: Ndoj, Arapi, Xhabrahimi). Trajner: I.Koja
GJYQTARË: A.Shehu, E. Zenullari
ANËSORË: Ç.Korku, L.Nurçe
STUDENTI-FARKA VOLEJ 3-0 (1-0)
(25-19, 25-18, 25-14)
STUDENTI: Qerraxhiu, Çali, Martiro, Gorenxa, Troka, Ivanov, Malaj, Tukseferi. Trajner: Ylli Tomori
FARKA VOLEJ: Qepa, Koçi, Mihani, Bërdufi, Bajrami, Deliu, Metani, Plaku, Topçiu, Vllacaj, Xhajkone, Hodaj. Trajner: Dritan Bardhi
Gjyqtarë: K. Gjoka, E. Zguri
Asistentë: A. Nurja, R. Ekmekçiu
GJYSMËFINALET
TË RRITUR
Ndeshja e parë, dje
Studenti-Farka Volej 3-0 (1-0)
Vllaznia-Tirana 1-3 (0-1)
Ndeshja e dytë, 15 prill
Farka Volej-Studenti 17:00
Tirana-Vllaznia 19:00
Ndeshja e tretë, 18 prill
Studenti-Farka Volej 19:00
Vllaznia-Tirana 19:00
TË RRITURA
Ndeshja e parë, sot
Tirana-Skënderbeu 14:00
Barleti Volej-Teuta 17:00
Ndeshja e dytë, 16 prill
Skënderbeu-Tirana 14:00
Teuta-Barleti Volej 17:00
Ndeshja e tretë, 19 prill
Tirana-Skënderbeu 14:00
Barleti Volej-Teuta 17:00
Përgatiti: S.Nikshiqi/A.Dushku