Palestra e Lushnjës, në kushte skandaloze
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Palestra e lojërave me dorë, pjesë e kompleksit sportiv "Llazar Llupo" të Krutjes, ndodhet në një gjendje skandaloze dhe ka nevojë emergjente për rikonstruksion.
Aty stërvitet dhe ka zhvilluar ndeshjet e kampionatit të grupit A2 ekipi i Lushnjës në volejboll për femra që përfaqësohet nga vajzat e Krutjes. Palestra ka degraduar totalisht, që nga muret e rrëzuara dhe të mykura deri tek të gjithë ambientet e brendshme ku mbi të gjitha mungojnë karriget plastike për publikun.
"Na vjen zor ta quajmë palestër", u shpreh kryebashkiaku lushnjar Fatos Tushe në ceremoninë e zhvilluar për suksesin e vajzave lushnjare që sezonin e ardhshëm do të luajnë në grupin A1. Në të ardhmen pritet që ky ambient të përmirësohet aq më tepër që Lushnja do të luajë në aktivitetin kryesor të volejbollit të femrave. Bashkia e Lushnjës me reformën e re administrative-territoriale mori në juridiksion njësinë administrative Krutje.
Ekipi u ndërtua pas katër viteve mungesë në kampionat me financat e miratuara nga Këshilli Bashkiak i Lushnjës duke u mbështetur në elementin e kësaj zone. Kjo zonë me 7 mijë banorë ka kultivuar volejbollin për 40 vjet. Ekipi është themeluar nga ikona e volejbollit myzeqar Llazar Llupo duke fituar dy kampionate nën drejtimin e një tjetër emri të madh, Josif Gjermeni.
Përgatiti: Alban Alushi